
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të komisioneres së zgjerimit të BE-së, Marta Kos, duke e akuzuar atë se po i shërben politikisht qeverisë Rama në një moment kritik për akuzat e korrupsionit ndaj saj.
Bardhi u ndal fillimisht te qëndrimi i Kos për raportin e OSBE-së mbi zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar deklaratën e saj jo vetëm të pasaktë, por edhe më të butë se vetë Kryeministri Rama.
“Sfidoj komisioneren Kos dhe çdo zyrtar të BE-së të gjejë një kryeministër që, para se të zbardhet një garë rreth 200 milionë euro, shkon me zv.kryeministren për të takuar kompaninë, dhe më pas hap garën e ia jep asaj që është paracaktuar. Nëse Kos gjen një rast të tillë në Europë, ne e pranojmë. Por nuk ka,” deklaroi Bardhi.
Ai e akuzoi komisioneren se po mbulon korrupsionin e qeverisë Rama, në vend që t’u kërkojë institucioneve shqiptare standarde europiane.
“Kos ka detyrimin të flasë për standardet dhe jo të ribëjë propagandën e Ramës. Çfarë tha ajo për raportin e OSBE-së, nuk e ka thënë as vetë Rama. Me atë deklaratë do të turpëroheshin edhe në Tiranë, edhe në Bruksel,” theksoi kryeparlamentari demokrat.
Bardhi shtoi se komisionerët e OSBE-së nuk e kanë artikuluar asnjëherë atë që ka pretenduar Kos, duke e cilësuar qëndrimin e saj “të pajustifikueshëm dhe politik”.
Me këtë deklaratë, Bardhi ashpërson më tej akuzat ndaj qeverisë për korrupsion sistematik dhe i kërkon BE-së të mos mbyllë sytë ndaj procedurave të dyshuara si të manipuluara në tendera dhe procese publike.
