Kushtetuesja Noterizon Kërkesën E Ramës, Rikthen Në Detyrë Ballukun

0

Gjykata Kushtetuese ka pranuar ankimimin e paraqitur nga Kryeministri Edi Rama dhe ka vendosur pezullimin e efekteve të vendimeve të GJKKO-së, duke i hapur rrugë rikthimit të Belinda Ballukut në detyrën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Vendimi u mor pas shqyrtimit paraprak të çështjes që lidhet me konfliktin e kompetencave mes Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër. Në qendër të kërkesës ishte pezullimi i ushtrimit të detyrës së një anëtareje të Këshillit të Ministrave, masë e vendosur më herët nga GJKKO.

Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se çështja paraqet interes të lartë publik dhe, me shumicë votash, vendosi kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare publike. Në këtë proces do të thirren si subjekte të interesuara Prokuroria e Posaçme, GJKKO, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.

Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte pezullimi i zbatimit të dy vendimeve të GJKKO-së, për pjesën që parashikonte masën ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj Belinda Ballukut. Ky pezullim mbetet në fuqi deri në përfundimin e gjykimit kushtetues dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare.

Gjykata rrëzoi njëzëri kërkesat e disa subjekteve për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse, duke argumentuar se mosmarrëveshja kushtetuese ka të bëjë vetëm me konflikt kompetencash mes institucioneve përkatëse dhe jo me interesa të tjera kushtetuese.

Po ashtu, në zbatim të rregullores së saj, Gjykata Kushtetuese caktoi datën e seancës plenare publike në afatin më të afërt të mundshëm. Seanca pritet të zhvillohet në janar, ku do të shqyrtohet në themel interpretimi i nenit 103 të Kushtetutës, në lidhje me imunitetin dhe garancitë procedurale që gëzojnë anëtarët e Këshillit të Ministrave.

Me këtë vendim, Belinda Balluku rikthehet në detyrë, ndërsa çështja hyn në një fazë vendimtare që pritet të përcaktojë kufijtë e kompetencave mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor në raste të ngjashme.

Artikulli i mëparshëmZyrtare: Edi Rama ka vendosur t’i falimentojë gjithë bizneset e vogla
Artikulli i radhësSkandali Që Dumani E Pranon Publikisht: Kur Prokurorë Dhe Gjyqtarë Janë Pjesë E Krimit, Për Çfarë Paguhen Strukturat E SPAK?