
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka artikuluar akuza tejet të rënda ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, duke iu referuar një dosjeje që, sipas tij, implikon drejtpërdrejt Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe struktura të rendit.
Berisha e cilësoi këtë dosje si “më të pashembulltën në historinë e një shteti”, duke theksuar se AKSHI, një institucion që varet drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave, është kthyer në instrument të abuzimit të pushtetit. Sipas tij, për një periudhë gjashtëmujore, një biznesmen dhe një ish-zyrtar janë rrëmbyer pa asnjë njoftim zyrtar, pa transparencë dhe pa reagim institucional.
Në qendër të akuzave qëndron rrëmbimi i një personi të lidhur familjarisht me rrethin e kryeministrit. Berisha deklaroi se bëhet fjalë për ish-ortakun e baxhanakut të Linda Ramës, Gerond Meçe, i cili, sipas tij, është marrë peng në bashkëpunim me policinë e shtetit dhe është mbajtur i fshehur pa dijeninë e publikut apo institucioneve.
Sipas kreut të opozitës, pengmarrja është realizuar nga struktura kriminale në bashkëpunim me elementë shtetërorë, ndërsa viktimat janë dërguar në ambientet e një grupi të njohur kriminal. Aty, sipas Berishës, ata janë torturuar rëndë për t’i detyruar të tërhiqnin ankesat lidhur me tenderë publikë dhe procedura të ndjekura nga AKSHI.
Berisha deklaroi se një prej viktimave është lëshuar më pas në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka përfunduar në Gjermani, ku ka dëshmuar për atë që ai e përshkroi si funksionimin real të AKSHI-t, institucion që qeveria e ka promovuar si një nga “krenaritë” e saj. Ai shtoi se autoritetet gjermane kanë administruar dëshmitë, duke e cilësuar ngjarjen si një nga më tronditëset.
Në fjalën e tij, Berisha ngriti akuza të drejtpërdrejta edhe ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit, duke pretenduar se krerët aktualë janë të përfshirë në mbulimin e këtyre ngjarjeve dhe se kryeministri ka ndërhyrë personalisht për të mbajtur nën kontroll strukturat e rendit. Ai përmendi dëshmi të oficerëve të antiterrorit, të cilët sipas tij kanë deklaruar se veprimet janë kryer me urdhra nga lart.
Një tjetër rast i përmendur ishte ai i ish-zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të AKSHI-t, Daniel Shima. Berisha pretendoi se edhe ai është rrëmbyer në mënyrë të ngjashme, në mes të bulevardit, nga persona me uniformë, dhe është dërguar në të njëjtat ambiente kriminale. Sipas tij, vetëm një mesazh i dërguar në kohë ka shmangur fatin tragjik, ndërsa deri më sot nuk ka pasur asnjë reagim nga policia apo prokuroria.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha e cilësoi situatën si emergjencë kombëtare dhe bëri thirrje për një përballje të fortë politike dhe qytetare. Ai deklaroi se, sipas tij, Edi Rama nuk mund të rrëzohet me protesta simbolike, por vetëm me një lëvizje të qëndrueshme, të pandërprerë dhe gjithëpërfshirëse, duke paralajmëruar intensifikim të aksionit opozitar në ditët në vijim.
