
Ish-presidenti Ilir Meta ka përfunduar dëshminë e tij në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) lidhur me ngjarjet e 21 Janarit, duke deklaruar se institucionet shqiptare ishin paralajmëruar paraprakisht për skenarin e dhunshëm të protestës.
Meta është marrë në pyetje nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të caktuar nga prokurori i dosjes Alfred Shehu. Detajet e dëshmisë janë bërë të ditura nga avokati i tij për gazetaren Anila Hoxha.
Sipas deklarimeve të Metës, shërbimet amerikane kishin informuar se protesta do të ishte e dhunshme dhe se rrezikonte të përfundonte me viktima. Ai ka pohuar se këto informacione i ishin përcjellë jo vetëm Presidencës, por edhe Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).
“Shërbimet amerikane më informuan se protesta do të ishte e dhunshme dhe do të mbyllej me vrasje. Dorëheqja ime u kërkua pikërisht për të zbutur përplasjet dhe për të shmangur skenarin e dhunës”, mësohet të ketë deklaruar Meta gjatë dëshmisë së tij.
Ish-presidenti ka theksuar se dorëheqja e tij nuk ishte një akt formal, por një veprim i ndërmarrë nën presionin e informacioneve serioze të sigurisë, me qëllim uljen e tensioneve politike në një moment kritik për vendin.
Dëshmia e Metës pritet të jetë pjesë e rëndësishme e hetimit të SPAK për zbardhjen e plotë të përgjegjësive institucionale dhe politike lidhur me 21 Janarin, një ngjarje që vijon të mbetet plagë e hapur në historinë e tranzicionit shqiptar.
