
Një operacion historik u zhvillua nga Shtetet e Bashkuara, ku forca të zgjedhura speciale të ‘Delta Force’ udhëtuan në Caracas dhe larguan nga vendi presidentin në detyrë të Venezuelës, Nicolás Maduro, së bashku me bashkëshorten e tij.
Si raportojnë mediat ndërkombëtare, për analogji historike më e afërt gjendet arrestimi i liderit panamez Manuel Noriega nga forcat speciale amerikane në vitin 1989.
Në të dy rastet, liderët kishin shpallur së fundmi fitore në zgjedhje të kontestuara, ishin akuzuar nga SHBA për përfshirje në trafikun e drogës dhe kishin pasur prezencë të konsiderueshme të trupave amerikane në rajon para operacionit.
Megjithatë, rasti i Noriegas u pasua nga një luftë e shkurtër, por vendimtare, ndërmjet Panamasë dhe SHBA, gjatë së cilës forcat panameze u shembën shpejt. Noriega u tërhoq në ambasadën e Vatikanit, ku qëndroi për 11 ditë, dhe më pas u bind të dorëzohej pas përdorimit të “luftës psikologjike”, përfshirë luajtjen e vazhdueshme të muzikës rock me volum të lartë, si The Clash, Van Halen dhe U2. Ai më pas u dërgua në Shtetet e Bashkuara, ku u dënua për krime të lidhura me drogën.
Sadam Husesini, presidenti i Irakut, ishte një tjetër lider që amerikanët larguan nga detyra forcërisht në vitin 2003, ndonëse më parë ka qenë aleat i tyre gjatë luftës Iran-Irak.
Derisa detajet për operacionin kundër Nicolás Maduro nuk janë bërë ende publike, gjithçka tregon se kjo ishte një ndërmarrje edhe më ambicioze në nivel planifikimi dhe ekzekutimi, duke arritur të largojë presidentin dhe bashkëshorten e tij pa angazhuar forca të zakonshme tokësore.
Fati i tij mbetet i paqartë, megjithatë, nëse informacioni i deritanishëm konfirmohet, mbyllja e kësaj çështjeje mund të ndodhë në një institucion amerikan.
