
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se presidentit venezuelian Nicolás Maduro iu dhanë “disa oferta shumë, shumë, shumë bujare” për të lënë pushtetin, por sipas tij, ai “zgjodhi të sillej si një njeri i egër” dhe të “luante me presidentin Trump”.
Duke folur në konferencën për shtyp pas operacionit ushtarak amerikan që çoi në arrestimin e Maduros, Rubio tha se udhëheqësi venezuelian kishte pasur “mundësi të shumta për të gjetur rrugën e tij diku tjetër”.
“Në vend të kësaj, ai donte të luante rolin e djalit të madh”, u shpreh Rubio.
Presidenti amerikan Donald Trump, nga ana e tij, i tha Fox News se Maduro “në fund donte të negocionte” dhe po “përpiqej shumë të bënte një marrëveshje”.
“Nuk doja të negocioja. Thashë: ‘Jo, duhet ta bëjmë’”, deklaroi Trump.
Rubio theksoi se Nicolás Maduro ishte akuzuar nga SHBA që në vitin 2020 dhe se nuk konsiderohej president legjitim i Venezuelës. Sipas tij, Maduro ishte një i arratisur i drejtësisë amerikane dhe kishte pasur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacion që çonte në kapjen e tij.
“Maduro kishte mundësi për ta shmangur këtë. I janë dhënë shanse, por sot ai mori mesazhin. Ka shumë njerëz që duan të bëjnë lojëra, që duan të konfiskojnë kompanitë amerikane në vendet e tyre, që duan të luajnë me ne. Por ne kemi një president që nuk bën lojëra. Kur thotë se do ta trajtojë një problem, ai e bën. Ky është një president veprimi”, tha Rubio.
Ai shtoi se mesazhi për botën është i qartë: “Mos bëni lojëra me këtë president që është në detyrë, sepse nuk do t’ia dilni mbanë”.
Me tone ironike, Rubio tha se “mendoj se kursyem 50 milionë dollarë”, duke iu drejtuar Trumpit, i cili u përgjigj: “Duhet të sigurohemi”.
“Mos lejoni askënd ta pretendojë, askush nuk e meriton përveç nesh”, shtoi Trump.
Deklaratat e Rubios dhe Trumpit vijnë pas zhvillimeve dramatike në Venezuelë dhe arrestimit të Nicolás Maduros, ndërsa administrata amerikane dërgon një mesazh të fortë paralajmërues për liderët botërorë që, sipas saj, synojnë të sfidojnë interesat e Shteteve të Bashkuara.
