
Ndryshimi i regjimit në Venezuelë pas operacionit ushtarak amerikan që çoi në arrestimin e presidentit Nicolás Maduro ka shkaktuar lëkundje të forta në tregjet globale të energjisë, duke rritur shqetësimet për një rritje të çmimeve të naftës dhe, rrjedhimisht, të kostove të karburanteve dhe energjisë për konsumatorët.
Tregjet ndërkombëtare të naftës reaguan menjëherë pasi forcat amerikane goditën Venezuelën dhe kapën Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, në atë që presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi si një “operacion ushtarak të jashtëzakonshëm”. Trump deklaroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të merrnin nën kontroll industrinë e naftës së Venezuelës, të cilën e përshkroi si një sektor “të shkatërruar prej vitesh”.
“Ne do të dërgojmë kompanitë tona shumë të mëdha amerikane të naftës… të investojnë miliarda dollarë, të rregullojnë infrastrukturën e dëmtuar të naftës dhe të fillojnë të gjenerojnë të ardhura për vendin”, deklaroi Trump nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago.
Megjithatë, analistët paralajmëruan se në afat të shkurtër situata mund të përkthehet në rritje çmimesh. Një ndalim i papritur i eksporteve venezueliane të naftës, i kombinuar me rrezikun e trazirave civile pas rrëzimit të regjimit, pritet të ushtrojë presion rritës mbi tregjet.
Vlerësimet fillestare sugjerojnë se çmimi i naftës bruto mund të rritet deri në 3 dollarë për fuçi, teksa pasiguria mbi stabilitetin e Venezuelës vazhdon të tronditë investitorët. Jorge Leon, drejtues i analizës gjeopolitike në kompaninë kërkimore Rystad Energy, tha se ekziston rreziku i një “vakumi pushteti” që mund të shoqërohet me trazira të gjera. “Në një situatë të tillë, presioni rritës mbi çmimet e naftës në afat të shkurtër është i pashmangshëm”, theksoi ai.
Edhe analistë të tjerë ndajnë të njëjtin shqetësim. Giovanni Staunovo nga UBS nënvizoi se gjithçka do të varet nga mënyra se si do të menaxhohet tranzicioni politik pas arrestimit të Maduro-s. “Është e paqartë nëse largimi i tij do ta stabilizojë vendin apo do të krijojë një boshllëk pushteti. Nëse ndodh kjo e dyta, çmimet e naftës do të rriten”, tha ai.
Nga ana tjetër, disa ekspertë parashikojnë se çdo rritje e çmimeve mund të jetë e kufizuar. Carol Bell, ish-drejtoreshë e sektorit të naftës dhe gazit në Chase Manhattan Bank, parashikoi vetëm një “rritje të lehtë” kur tregjet të hapen, duke shtuar se ndikimi në çmimet e karburanteve për konsumatorët pritet të jetë relativisht i zbutur.
Megjithatë, humbja e furnizimit nga Venezuela mund të përkeqësojë më tej tensionet ekzistuese në tregjet globale, veçanërisht në një moment kur protestat antiqeveritare në Iran po krijojnë pasiguri shtesë. Irani, për shkak të pozicionit të tij strategjik pranë Ngushticës së Hormuzit – përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës botërore – mbetet një faktor shumë më kritik për stabilitetin e tregut global të energjisë.
Në afat më të gjatë, analistët shohin edhe një skenar të kundërt. Nëse SHBA do të lehtësonte ose hiqte sanksionet ndaj Venezuelës dhe nëse në Caracas do të vendosej një qeveri më miqësore ndaj Perëndimit, eksportet e naftës venezueliane mund të rriteshin ndjeshëm, duke ushtruar presion ulës mbi çmimet globale.
Ashley Kelty, analist në Panmure Liberum, theksoi se një zhvillim i tillë do të reduktonte varësinë e SHBA-së nga importet e naftës nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Nafta venezueliane është kryesisht e tipit “heavy crude”, e cila përpunohet më lehtë nga rafineritë amerikane, çka do të krijonte një tepricë të naftës së Lindjes së Mesme në tregjet ndërkombëtare dhe potencialisht çmime më të ulëta.
Sipas Saul Kavonic nga MST Financial, nën një qeveri të re dhe me rikthimin e investimeve të huaja, eksportet e naftës së Venezuelës mund të arrijnë deri në 3 milionë fuçi në ditë. Aktualisht, pavarësisht se zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë – mbi 300 miliardë fuçi – Venezuela përfaqëson më pak se 1 për qind të eksporteve globale të naftës, me rreth 800 mijë fuçi në ditë.
Kjo situatë është rezultat i keqmenaxhimit afatgjatë të kompanisë shtetërore PDVSA dhe sanksioneve të rrepta amerikane, të cilat kanë kufizuar rëndë prodhimin dhe eksportin. Nëse këto barriera hiqen, tregjet globale mund të përballen me një fluks të ri nafte, duke ndryshuar ndjeshëm ekuilibrat e energjisë në nivel botëror.
