
Anëtarët demokratë të Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve kanë kërkuar që ky forum të mblidhet sërish nesër, me qëllim hapjen e rrugës për arrestimin e zv.kryeministres dhe njëkohësisht ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Partia Demokratike e ka cilësuar si antiligjore shtyrjen pa afat të mbledhjes së Këshillit, duke ngritur dyshime se kjo vonesë po i krijon kohë Ballukut për të prishur prova dhe për të intimiduar dëshmitarët në kuadër të hetimeve penale.
Sipas përfaqësuesve të opozitës, mosmbledhja e Këshillit të Imunitetit përbën një pengesë të drejtpërdrejtë ndaj veprimit të drejtësisë dhe bie ndesh me parimet e transparencës dhe barazisë para ligjit.
Një shqetësim i tillë është shprehur edhe nga vetë Prokuroria e Posaçme në mbledhjen e mbajtur më 19 dhjetor, ku është theksuar rreziku që vonesat procedurale të ndikojnë negativisht në ecurinë e hetimit.
Kërkesa për mbledhjen urgjente të Këshillit vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa opozita insiston se çdo vonesë e mëtejshme dëmton besimin publik tek institucionet dhe forcon perceptimin e mbrojtjes politike ndaj zyrtarëve të lartë nën hetim.
