Veliaj Një Vit Në Paraburgim, Avokatët: Gjyq Politik Dhe Abuzim Me Masën E Sigurisë

0

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shënon sot një vit të plotë në paraburgim, një masë që sipas mbrojtjes ligjore përbën abuzim flagrant me procesin e rregullt ligjor dhe ka karakter të hapur politik.

Në një deklaratë të gjatë publike, avokatët ndërkombëtarë të Veliajt nga firmat Kasowitz dhe Mishcon de Reya e cilësojnë ndalimin e vazhdueshëm si të pajustifikuar, disproporcional dhe ndëshkues, duke theksuar se gjatë 365 ditëve nuk është provuar asnjë nga kriteret themelore që justifikojnë paraburgimin: rreziku i arratisjes, pengimi i drejtësisë apo përsëritja e veprës penale.

Sipas mbrojtjes, për disa muaj Veliaj është mbajtur i izoluar pa akuza të qarta, ndërsa më vonë ndalimi i tij është përdorur si bazë politike për tentativa shkarkimi nga detyra, çka – sipas avokatëve – synonte t’u hiqte qytetarëve të Tiranës përfaqësimin e zgjedhur me votë.

Një nga pikat më të forta të reagimit lidhet me faktin se Veliaj është penalizuar sepse kërkoi këshillim ligjor në Shtetet e Bashkuara, gjë që sipas mbrojtjes përbën shkelje të hapur të së drejtës për mbrojtje. Po ashtu, ai ka pasur akses të kufizuar ose të mohuar në dhjetëra mijëra faqe prova mbi të cilat bazohet çështja.

Avokatët e quajnë procesin një “gjyq-spektakël politik”, duke argumentuar se trajtimi i Veliajt bie ndjeshëm nën standardet europiane dhe amerikane të drejtësisë. Ata përmendin edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi përpjekjet për largimin e tij nga detyra dhe konfirmoi vlefshmërinë e mandatit deri në vitin 2027.

Kritikat janë shtrirë edhe në nivel ndërkombëtar. 76 kryetarë bashkish nga rrjeti B40 kanë firmosur një letër të përbashkët ku dënojnë paraburgimin e kryebashkiakëve në detyrë si rrezik për demokracinë lokale, duke iu referuar edhe gjetjeve të Komisionit të Venecias për vitin 2025.

Avokati i Popullit, nga ana tjetër, ka konstatuar shkelje në trajtimin mjekësor dhe privatësinë e Veliajt gjatë paraburgimit, ndërsa media të huaja kanë ngritur alarmin për erozion të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Në përfundim, mbrojtja kërkon lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi, duke paralajmëruar se vazhdimi i kësaj mase jo vetëm dëmton rëndë të drejtat themelore të individit, por hedh hije të rënda mbi reformën në drejtësi dhe perspektivën europiane të vendit.

Artikulli i mëparshëmSekuestrohen Pasuri Me Vlerë 200 Mijë Euro Në Tiranë, Në Pronësi Të Dy Personave Të Dënuar Për Trafik Droge