
Në prag dhe gjatë periudhës së Kreshmës së Madhe, besimtarët orthodhoksë ftohen në një thellim të jetës shpirtërore, në një kthim drejt vetes dhe drejt Zotit. Kjo periudhë nuk është thjesht një traditë kishtare apo një rregull asketik, por një thirrje për transformim të brendshëm. Në vijim po botojmë fjalën e plotë të Kryepiskopit mbi kuptimin e Kreshmës si një udhëtim drejt Zotit dhe drejt rikthimit të qëllimit të jetës.
Themi vazhdimisht që kreshma është një udhëtim. Jo vetëm kreshma, por vetë jeta jonë është një udhëtim. Të gjithë ne që kemi filluar kreshmën, kemi filluar një udhëtim. Filloi periudha që ndryshon ngjyrat. Zoti na tregon shpesh nëpërmjet Ungjillit për gjendjen në të cilën ndodhemi. Jo vetëm Zoti, por edhe shumë filozofë e psikologë thonë që njerëzit kanë humbur “veten” e tyre, dhe kush humbet veten, ka humbur gjithçka.
Gjithçka tjetër që përpiqet të fitojë njeriu, nuk mund ta përmbushë dot atë që mund t’i japë “vetja”. Një nga arsyet që njeriu mendon se e ka humbur “veten” është kur nuk e kupton dot që e ka humbur “veten”. Keni dëgjuar të thuhet te paravolia e Djalit plangprishës për djalin që u kthye që “erdhi në vete” (Lk.15:17). Kjo do të thotë se ai filloi të kuptojë situatën në të cilën ndodhej.
Humbja e Qëllimit të Jetës
Askush nuk mund të fillojë dot udhëtimin e kreshmës, nëse nuk do të vijë në vete. Ne sot e kemi humbur qëllimin e jetës. Dëshira për kënaqësi, etja për pushtet dhe të tjera gjëra të kota si këto nuk mund ta ndihmojnë njeriun jo vetëm që t’i japë kuptimin jetës, por as nuk do ta bëjnë dot të lumtur. Lumturia dhe qëllimi i jetës janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Askush nuk mund të arrijë dot lumturinë, nëse nuk do të ketë një qëllim në jetë. Njerëzit në ditën e sotme nuk kanë asnjë arsye për të jetuar dhe asnjë arsye për qëllimin e jetës. Kjo ndodh edhe te njerëzit e kishës të cilët mendojnë se besojnë, vijnë vazhdimisht në kishë, por kanë humbur arsyen për të jetuar dhe arsyen për të vdekur. Vetë fakti që shpeshherë brenda kishës kemi mërira, grindje, thashetheme, dhe plot kotësira, tregon që këta njerëz janë të ngeshëm, tregon që këta njerëz nuk po udhëtojnë.
Sepse ai njeri që udhëton, nuk merret me gjërat që ndodhin në stacion. Ai e ka mendjen vetëm tek udhëtimi. Vet fakti që merremi me shumë gjëra që janë rrotull nesh do të thotë që ka humbur sensi i udhëtimit. Gjatë gjithë historisë së tij njeriu është përpjekur për pasuri. Ai ka grumbulluar pasuri të madhe, e megjithatë nuk është bërë i lumtur. Kishtari në librin e tij thotë që dhe dituria është “kotësi e kotësive”. Sado të grumbullosh pasuri ajo nuk mund të të shërbejë, ajo nuk mund të të sjellë lumturi.
Pushimi te Zoti
Me të vërtetë askush nuk mund të arrijë dot lumturinë, nëse shpirti i tij nuk prehet te Zoti. Njeriu është krijuar sipas ikonës së Trinisë, që do të thotë se shpirti ynë do të jetë gjithmonë i shqetësuar, nëse nuk prehet te Zoti. Shën Agustini thotë: “Zot më ke krijuar sipas ikonës Tënde, dhe asnjëherë nuk do të gjejmë prehje derisa të pushojmë tek Ti”.
Pushimi te Zoti nuk mund të kuptohet dot pa udhëtimin drejt Atij. Kjo është arsyeja pse e kemi quajtur kreshmën një lloj udhëtimi. Udhëtim nga kjo gjendje fizike në të cilën ndodhemi në një gjendje tjetër të thellë shpirtërore. Ky udhëtim kërkon sakrifica, kërkon mundim. Ashtu si dhe në Shkrimin e Shenjtë mësojmë se Izraeli u kthye në tokën e premtuar, duke kaluar nëpërmjet shkretëtirës, gjë që simbolizon çlirimin dhe gjendjen shpirtërore të njeriut.
Çlirimi i Vërtetë
Të fitosh përsëri atë që ke humbur nuk është aq e lehtë, prandaj udhëtimi është i mbushur me vështirësi dhe sakrifica, për të cilat kërkohet një lloj privimi. Historia e djalit plangprishës është historia e gjithë njerëzimit. Gjithsekush nga ne, ashtu si djali plangprishës, ndodhet në një vend të largët. Pra, ndodhet jashtë gjendjes së tij, për të cilin çdo gjendje tjetër është një vend i largët.
Sa nga ne kanë një kungim të vazhdueshëm me Perëndinë? Sa nga ne jetojnë thellësisht shpirtërisht me Të? – Shumë pak. Kjo është ajo që filozofët e kanë quajtur “sensi tragjik i jetës”, sepse kemi humbur shumë e shumë gjëra nga ato që kishim. Kungimi me Perëndinë nuk është vetëm për shenjtorët.
Të gjithë njerëzit janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë, janë krijuar të jenë në kungim të përjetshëm me Të, por ky qëllim sot ka humbur. Dhe kthimi tek ai vjen nga një dëshirë, vjen nga një mall që do të ketë njeriu për botën tjetër. Djali pati mall, kështu thuhet në Bibël “pati mall”.
Liri dhe Përgjegjësi
Askush nuk mund të shkojë diku, nëse ai nuk dëshiron të shkojë. Sido që ta shikojmë lirinë, si barrë apo si dhuratë, nuk mund të shpëtojmë dot prej saj. Askush nga ne nuk mund të lirohet nga të qenurit i lirë. Kjo është një nga bazat kryesore të doktrinës së krishterë, që gjithsekush është krijuar i lirë ta pranojë ose të mos e pranojë Perëndinë.
Shumë njerëz kanë menduar të gjejnë lumturinë; shumë janë përpjekur ta bëjnë njeriun të lumtur pa Zotin, por pa Zotin nuk mund të gjendet lumturia. Të gjitha përpjekjet për lumturi pa Zotin do të përfundojnë si tentativa e parë e Adamit, i cili donte të bëhej Zot pa Zotin. Në përpjekjen e tyre për të gjetur lumturinë njerëzit jo vetëm humbën sensin e udhëtimit, por humbën edhe vetë udhëtimin.
Asketizmi si Çlirim
Njeriu ka një dimension të madh shpirtëror dhe ai duhet ta përmbushë këtë dimension. Kreshma është ajo që e ndihmon atë më shumë, për t’u çliruar sadopak. Kjo mund të duket e habitshme, por asketizmi është një lëvizje për çlirimin më të madh nga vetja e rreme. Vetja jonë është zënë rob, ne nuk mund të dimë akoma se kush është gjendja jonë realisht e lirë, prandaj privimet e ndryshme që do të kemi gjatë kreshmës do të na bëjnë të lirë.
Kufizimet nuk duhen parë si ndalime, as nuk duhen parë si privime që jepen, por si mbrojtje. Ne shpeshherë lexojmë, por nuk kuptojmë që pjesa më e madhe e Dekalogut (Eks.20:1-17) është me “mos-e”: mos këtë, mos atë, mos atë…. Këto “mos-e” nuk janë për të na kufizuar, por për të na mbrojtur, sepse kemi rënë nga gjendja jonë e parë dhe na ka humbur përgjegjshmëria e lirisë.
Besimi i Vërtetë
Një besim që nuk krijon në shpirt një dëshirë për udhëtim, nuk është besim. Prandaj kjo periudhë udhëtimi është që ne të shohim thellë në çdo skutë të shpirtit tonë: A besojmë realisht apo nuk besojmë? Ky besim është për ne një lloj zbukurimi apo një nevojë bazike e jetës? Zoti është për ne sigurim apo rrënja e shpirtit tonë?
Këto janë pyetjet që duhet të bëjë njeriu gjatë Kreshmës së Madhe. Këto e bëjnë njeriun të fillojë udhëtimin e tij. Kjo periudhë kreshme nuk ndahet nga gëzimet. Edhe troparet thonë: “Le ta fillojmë këtë periudhë me gëzim”. Po të fillojë kreshma edhe gëzimi do të vijë vetvetiu. Ne nuk na vjen gëzim, sepse nuk fillojmë. Udhëtimi drejt Zotit është i mbushur me gëzim. Nuk ka jetë më të bukur sesa të udhëtosh drejt Zotit dhe të jetosh në këtë rrugë.
Pendimi si Fillim
Askush nuk mund të shkojë tek Zoti, nëse nuk fillon këtë udhëtim, dhe fillimi i këtij udhëtimi është pendimi. Gjithsekush nga ne që nuk është penduar dhe që nuk vazhdon të pendohet tregon që nuk është në udhëtim. Pendimi nuk është thjesht të kuptosh se ke bërë faj, kjo është një pjesë e vogël e pendimit. Pendim do të thotë të ndizet një mall për shtëpinë e Zotit, Atit dhe atëherë do të fillojë udhëtimi.
Nëse nuk do të na ndizej një mall në shpirt për të takuar Zotin, kjo do të thotë që shpirti është i vdekur (shih Ps.42:1-2). Dhe për sa kohë jemi në këtë jetë, jemi në pozicionin që mund ta bëjmë këtë udhëtim. Koha e udhëtimit është tani. Tani është orari që mund të udhëtojmë. Gjithsekush që pendohet përfitimi është për të.
Le ta shikojmë kreshmën si udhëtim, jo vetëm kreshmën, por gjithë jetën, sepse faktikisht po udhëtojmë edhe nëse disa nuk e dinë. Gjithsekush nga ne shkon drejt diçkaje. “Nëse nuk bëhemi familjarë që këtu me Zotin, thotë Shën Joan Gojarti, nuk do të jemi as në jetën tjetër familjarë me Të. Miqësia me Zotin fillon që këtu. Udhëtimi dhe kungimi i përjetshëm me Zotin fillon që këtu”.
Le ta fillojmë udhëtimin drejt Zotit dhe le të mendojmë për sakrificat e këtij udhëtimi. Le të mendojmë dhe le të kuptojmë ashtu siç Psalmi thotë: “Shijoni dhe shihni” (Ps.34:8). Nuk ka gëzim më të madh se jeta shpirtërore. Zoti do të na shikojë që në momentin e parë që do të bëjmë lëvizjen për t’u kthyer dhe që në momentin e parë Ai do të na japë diçka; që në momentin e parë do të ndiejmë një lloj pranie në shpirtin tonë, e cila do të na japë gëzimin dhe fuqinë për të vazhduar këtë udhëtim.
Jeta jonë është një udhëtim drejt Zotit, sikundër e theksuam, dhe këtë të mos e harrojmë kurrë. Ai na bekoftë ta takojmë Atë në ditën e Pashkës. Amin.
