Video/ Arbitrat Sërish Nën Shënjestër Në Serie A, Shpërthejnë Polemikat Për Golin E Parmës Kundër Milanit Një Javë Pas Inter–Juve

0

Vetëm një javë pas diskutimeve të forta për arbitrimin në sfidën Inter–Juventus, stadiumi “San Siro” është rikthyer në qendër të polemikave. Këtë herë në fokus është goli që vendosi ndeshjen mes Milanit dhe Parmës, i realizuar nga Mariano Troilo në minutat e fundit të takimit.

Rreth 10 minuta nga fundi, Parma fitoi një goditje këndi. Emanuele Valeri ekzekutoi drejt shtyllës së dytë, aty ku Troilo devijoi me kokë duke dërguar topin në rrjetë pas shpinës së Mike Maignan.

Fillimisht, arbitri Marco Piccinini e anuloi golin për një bllokim të pretenduar nga Valenti ndaj portierit të Milanit. Sipas gjyqtarit, kishte faull ndaj Maignan dhe, në bazë të protokollit, situata nuk dukej si një “gabim i qartë dhe i dukshëm” që do të kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.

Kliko këtu për të parë golin.

Megjithatë, pas sinjalizimit nga VAR, Piccinini u thirr në monitor për të rishikuar aksionin. Pamjet tregojnë se Valenti u pozicionua pas portierit francez, duke i zënë trajektoren, por pa një përplasje të drejtpërdrejtë. Ishte Maignan ai që, në përpjekje për të ndjekur topin, u përplas me mbrojtësin e Parmës.

Pas rishikimit, arbitri vendosi të ndryshojë vendimin dhe të akordojë golin, duke vlerësuar se nuk kishte faull të qartë nga Valenti ndaj portierit kuqezi.

Debati nuk përfundon me kaq. Në momentin e goditjes me kokë, Troilo duket se vendos duart mbi shpinën e Davide Bartesaghi, duke krijuar një tjetër situatë të dyshimtë. Pamjet sugjerojnë një mbështetje të lehtë para devijimit vendimtar, por kjo pjesë e aksionit nuk u adresua qartë në shpjegimin përfundimtar të arbitrit.

Piccinini, në komunikimin e tij në stadium, u fokusua vetëm te kontakti mes Valenti dhe Maignan, duke argumentuar se nuk kishte faull ndaj portierit. Për episodin mes Troilos dhe Bartesaghi-t nuk pati sqarim publik.

Vendimi ka ndezur reagime të shumta, me Milanin që ndjehet i penalizuar, ndërsa Parma mbron legjitimitetin e golit. Një tjetër mbrëmje në “San Siro” që lë pas më shumë pyetje sesa përgjigje mbi interpretimin e episodeve kyçe në Serie A.

Artikulli i mëparshëmMesazhi i Kryepiskopit Joan Për Kreshmën E Madhe – Udhëtim Drejt Zotit
Artikulli i radhës‘Milano Cortina 2026’ Ul Siparin, Norvegjia Në Krye – Shqipëria Me Pjesëmarrjen Më Të Madhe Në Historinë E Saj