
Me finalen spektakolare të hokejit mbi akull u mbyllën zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore ‘Milano Cortina 2026’, që nga 6 shkurti deri më 22 shkurt u zhvilluan në disa zona të Italisë veriore, duke sjellë emocione, rekorde dhe histori të reja në sportet e dimrit.
Finalja e shumëpritur në hokej mbi akull u fitua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por suksesi në këtë disiplinë nuk mjaftoi që amerikanët të kryesonin renditjen e përgjithshme. Me 18 medalje të arta, 12 të argjendta dhe 11 të bronzta, Norvegjia dominoi tabelën e medaljeve, duke vendosur edhe një rekord të ri olimpik për numrin e medaljeve të arta në një edicion të Lojërave Dimërore. Kjo është hera e katërt radhazi që norvegjezët kryesojnë renditjen.
Në vendin e dytë u renditën Shtetet e Bashkuara me 12 medalje të arta, 12 të argjendta dhe 9 të bronzta, për një total prej 33 medaljesh. Holanda dhe Italia siguruan nga 10 medalje të arta, ndërsa Gjermania, Franca dhe Suedia fituan nga 8 medalje të arta. Zvicra u rendit e teta me 6 medalje të arta.
Në disiplinat e skijimit alpin, dominimi ishte i Zvicrës, që fitoi 4 medalje të arta, 3 të argjendta dhe 2 të bronzta. Pas saj u renditën Italia dhe SHBA me nga 2 medalje të arta, ndërsa Austria dhe Brazili morën nga 1 medalje të artë.
Në këtë edicion morën pjesë 2871 sportistë nga 92 shtete, duke e bërë këtë një nga organizimet më të mëdha në historinë e Lojërave Dimërore. Mes tyre ishin edhe Shqipëria dhe Kosova, të cilat, ndonëse pa medalje, shënuan prezencë të rëndësishme.
Shqipëria u përfaqësua nga Denni Xhepa, Lara Colturi, Semire Dauti dhe Lisa Brunga. Rezultatin më të mirë e arriti Lara Colturi, e cila u rendit e 10-ta në Slalom dhe e 16-ta në Slalomin Gjigant në skitë alpine. Denni Xhepa u rendit i 34-ti në Super-G dhe në Slalomin Gjigant. Semire Dauti dhe Lisa Brunga u mjaftuan me pjesëmarrjen në garat respektive.
Kosova u përfaqësua nga Kiana Kryeziu, e cila garoi në tri disiplina të skijimit alpin, dhe Drin Kokaj në një disiplinë, por të dy u eliminuan gjatë garave.
Ceremonia e mbylljes u zhvillua në “Arenën e Veronës”, duke i dhënë fund një edicioni që do të mbahet mend për nivelin e lartë organizativ dhe garat spektakolare. Pas përfundimit të këtij edicioni, Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore do të zhvillohen në vitin 2030 në Alpet Franceze.
