Kapet anija me deri në 40 tonë kokainë në Atlantik, 23 të arrestuar

0

Një operacion i madh ndërkombëtar ka çuar në atë që autoritetet spanjolle e cilësojnë si një nga goditjet më të mëdha ndonjëherë ndaj trafikut të drogës në Atlantik. Policia në Spanjë ka sekuestruar një sasi rekord kokaine, që sipas burimeve varion nga 35 deri në 40 tonë, të fshehura në një anije mallrash.

Operacioni u zhvillua nga njësia elitare e Guardia Civil në brigjet e Afrikës Veriperëndimore, pranë zonës së Saharasë Perëndimore, afër qytetit Dakhla. Anija, rreth 90 metra e gjatë dhe e regjistruar në Ishujt Komore, ishte nisur nga Freetown, kryeqyteti i Sierra Leones, më 22 prill dhe kishte destinacion Mesdheun.

Pas ndalimit në det, mjeti lundrues u shoqërua drejt portit të Las Palmas në Gran Canaria, ku aktualisht ndodhet nën kontrollin e autoriteteve gjyqësore spanjolle. Hetimet po zhvillohen nën mbikëqyrjen e Gjykatës së Lartë të Spanjës, në kuadër të një operacioni më të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

Gjatë aksionit janë arrestuar 23 persona, të cilët rezultojnë kryesisht shtetas filipinas, angolas dhe holandezë. Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni është ende në vijim dhe nuk përjashtohen zhvillime të tjera në ditët në vijim.

Kjo sasi e sekuestruar konsiderohet ndër më të mëdhatë e kapura ndonjëherë në rrugët detare drejt Europës, duke dëshmuar shkallën e lartë të organizimit të rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe sfidën që ato paraqesin për agjencitë ligjzbatuese.

Artikulli i mëparshëmRaphinha mund të largohet nga Barcelona në verë, mediat spanjolle ngrenë pikëpyetje