SHKODËR – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Shkodër-Lezhë, ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie, të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, hetimet nisën pasi u konstatua se shtetasi Hasan Ferracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, nuk ndodhej në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje.
Pas veprimeve hetimore dhe procedurale, AMP arrestoi:
- Inspektor Dorjan Hasandoçaj;
- Inspektor Gentian Xhanari;
- Inspektor Dioniz Hotaj;
- Punonjësin Ridvan Zefi,
të gjithë me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër.
Ndërkohë, ndaj Hasan Ferracakut rëndojnë dyshimet për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, sipas nenit 323 të Kodit Penal, pasi dyshohet se ka shkelur kushtet e masës së sigurisë të vendosur nga gjykata.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.
Në reagimin e saj, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e angazhuar në garantimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e integritetit institucional dhe forcimin e besimit të qytetarëve te institucionet e sigurisë.
