Serbia ka marrë një tjetër sinjal të qartë nga Bashkimi Evropian se rruga drejt anëtarësimit nuk po ecën sipas ritmit që pretendon Beogradi. Sipas burimeve diplomatike evropiane, ambasadorët e vendeve anëtare nuk siguruan unanimitetin e nevojshëm për hapjen e një kapitulli të ri negociues, duke e lënë procesin sërish në vendnumëro.

Tetë vende kundër hapjes së Klasterit 3
Sipas diplomatëve evropianë, tetë nga 27 shtetet anëtare të BE-së kundërshtuan hapjen e Klasterit 3, që lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse.
Vendet që votuan kundër ishin Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia. Pa unanimitet, procesi nuk mund të avancojë.
Rezerva të tjera edhe nga disa shtete që nuk e bllokuan plotësisht
Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia, sipas të njëjtave burime, nuk e kundërshtuan drejtpërdrejt hapin e radhës, por kërkuan garanci shtesë për progresin e Serbisë.
Nga ana tjetër, vende si Franca vijojnë të mbështesin integrimin evropian të Serbisë. Më herët, presidenti francez Emmanuel Macron është shprehur se BE-ja ka nevojë për një “Serbi të fortë dhe demokratike”.
Pse po has kundërshtime Beogradi
Sipas burimeve diplomatike, bllokimi lidhet kryesisht me problemet e vazhdueshme të Serbisë në sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe mungesën e harmonizimit me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Nga ana tjetër, sipas Komisionit Evropian, Beogradi ka bërë përparim në disa fusha, përfshirë legjislacionin për drejtësinë, lirinë e medias, reformën zgjedhore dhe bashkëpunimin me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Komisioni vlerëson gjithashtu se Serbia ka ndihmuar në parandalimin e shmangies së sanksioneve ndaj Rusisë, ka mbështetur Ukrainën dhe ka shtuar kontaktet politike me Kievin, edhe pse ende nuk i është bashkuar zyrtarisht regjimit të sanksioneve të BE-së kundër Moskës.
Parlamenti Evropian: teknikisht gati, politikisht ende jo
Në të njëjtën ditë, Parlamenti Evropian miratoi me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime raportin për zgjerimin për vitin 2025.
Raporti i kërkon Serbisë të përshpejtojë reformat në sistemin zgjedhor, të forcojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të luftojë korrupsionin, ndërsa vlerëson se teknikisht Klasteri 3 është gati për t’u hapur.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se situata në vend është përkeqësuar në vitet e fundit dhe se ritmi i reformave është ngadalësuar ndjeshëm.
Sipas tij, ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria po ecin përpara në negociatat e anëtarësimit, Serbia ka mbetur pas në fushat kyçe, veçanërisht te sundimi i ligjit dhe standardet demokratike.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se vendi mbetet i përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe se autoritetet do të shqyrtojnë kërkesat dhe rekomandimet e BE-së për vijimin e procesit.
Megjithatë, zhvillimi i fundit tregon se mes deklaratave politike dhe besimit real të vendeve anëtare mbetet ende një hendek i dukshëm.
