
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Beratin këtë të diel, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi u mbyt në lumë në fshatin Orizaj.
Sipas informacioneve paraprake, adoleshenti kishte qenë duke punuar në arë së bashku me të atin. Për shkak të temperaturave të larta, ai ka hyrë në lumë për t’u freskuar dhe për t’u larë, por është marrë nga rrjedha e ujit dhe është zhdukur disa metra më poshtë.
Babai i të miturit ka hyrë menjëherë në ujë në përpjekje për ta shpëtuar. Ai ka arritur ta nxjerrë djalin në breg, por fatkeqësisht 15-vjeçari ishte pa shenja jete.
Në vendngjarje mbërritën efektivët e Policisë dhe shërbimi i urgjencës, ndërsa trupi i viktimës u transportua drejt morgut të Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore.
Grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të mbytjes. Paraprakisht dyshohet se 15-vjeçari është mbytur aksidentalisht gjatë kohës që po lahej në lumë.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, ndërsa rikthen vëmendjen te rreziku që paraqesin lumenjtë gjatë muajve të verës, kur temperaturat e larta shtyjnë shumë të rinj të futen në ujë për t’u freskuar.
