10 pyetje për Ministren e Shëndetësisë: Pse shqiptarët ende nuk kurohen dot në vendin e tyre?

0

Dje, një vajzë vetëm 25 vjeçe, e djegur në rreth 85% të sipërfaqes së trupit, është dërguar në Turqi për trajtim të specializuar.

Dërgimi i saj jashtë vendit është padyshim vendimi i duhur, nëse atje ekzistojnë mundësi më të mëdha për t’i shpëtuar jetën. Në një situatë të tillë, çdo mundësi, çdo burim financiar dhe çdo kanal institucional duhet vënë në dispozicion të pacientes.

Por ajo që nuk mund të konsiderohet normale është mënyra se si Ministria e Shëndetësisë e komunikon këtë ngjarje: thuajse fakti që Shqipëria nuk është në gjendje ta trajtojë një paciente të tillë brenda vendit përbën një histori suksesi të shtetit.

Nuk është.

Është një pyetje e madhe mbi gjendjen reale të sistemit tonë shëndetësor.

Teksa mjekësia botërore ka avancuar në kirurgji robotike, transplantime organesh, procedura minimalisht invazive dhe terapi që deri pak vite më parë dukeshin të pamundura, Shqipëria vazhdon të ketë raste ku zgjidhja e vetme është: dërgojeni pacientin jashtë vendit.

Ministria thekson gjithashtu se shpenzimet e trajtimit në Turqi do të mbulohen nga shteti shqiptar.

Shumë mirë që do të mbulohen. Kjo është detyrë e shtetit, jo bamirësi.

Por pyetja që duhet të bëjmë nuk është vetëm sa do të paguajë shteti për këtë paciente në Turqi. Pyetja shumë më e rëndësishme është:

Pse, pas kaq vitesh investimesh dhe miliona eurosh të shpenzuara në shëndetësi, Shqipëria nuk e ka ndërtuar ende kapacitetin për ta ofruar këtë trajtim këtu?

Në një vend që flet për satelitë, inteligjencë artificiale, prodhim makinash, armësh dhe dronësh; në një vend ku miliona euro gjenden për projekte artistike, koncesione, tenderë dhe iniciativa nga më të ndryshmet; në një vend ku miliona të tjera humbasin apo shpërdorohen për shkak të korrupsionit, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë një përgjigje shumë të thjeshtë:

Pse dreqin nuk kurohen dot në vendin e tyre?

Dhe për këtë, Ministrja e Shëndetësisë duhet t’u përgjigjet të paktën këtyre 10 pyetjeve:

1. Pse Shqipëria nuk ka sot kapacitete të plota për trajtimin e djegieve masive?

Çfarë i mungon konkretisht sistemit shqiptar për trajtimin e një pacienteje me djegie në 85% të trupit: infrastruktura, pajisjet, personeli i specializuar, kirurgjia rekonstruktive, kujdesi intensiv specifik apo të gjitha së bashku?

2. A ka Shqipëria një qendër kombëtare moderne dhe të kompletuar për djegiet e rënda?

Nëse po, cilat janë kapacitetet e saj reale dhe cilat kategori pacientësh mund të trajtojë? Nëse jo, përse një strukturë e tillë nuk është ngritur deri më sot?

3. Sa pacientë shqiptarë janë dërguar jashtë vendit për trajtim gjatë pesë viteve të fundit?

Jo vetëm për djegie. Sa qytetarë janë dërguar jashtë për sëmundje, ndërhyrje apo procedura që spitalet shqiptare nuk kanë qenë në gjendje t’i ofrojnë?

4. Sa para ka paguar shteti shqiptar për trajtimin e pacientëve jashtë vendit?

Sa është fatura totale për pesë vitet e fundit dhe në cilat shtete apo spitale janë shpenzuar këto para? Sa prej këtyre trajtimeve përsëriten çdo vit për të njëjtat kategori patologjish?

5. A do të kishte kushtuar më pak ngritja e kapaciteteve për trajtimin e tyre në Shqipëri?

Nëse shteti paguan vazhdimisht spitale të huaja për trajtime që mungojnë këtu, a është bërë ndonjëherë një analizë ekonomike për të parë nëse investimi në pajisje, infrastrukturë dhe specializimin e mjekëve shqiptarë do të ishte më i leverdishëm?

6. Sa para janë investuar konkretisht për trajtimin e djegieve të rënda gjatë dhjetë viteve të fundit?

Cilat pajisje janë blerë? Sa shtretër të dedikuar ekzistojnë? Sa specialistë janë trajnuar? Sa prej tyre vazhdojnë të punojnë në sistemin publik?

7. Përse shteti nuk ka krijuar ekipe të specializuara të standardeve ndërkombëtare për rastet më të rënda?

Nëse problemi është mungesa e ekspertizës, çfarë ka bërë Ministria gjatë gjithë këtyre viteve për specializimin jashtë vendit të mjekëve shqiptarë dhe krijimin e ekipeve multidisiplinare që mund t’i trajtojnë këto raste këtu?

8. Cili është plani që pas pesë vitesh të mos publikojmë përsëri të njëjtin njoftim?

A ekziston një strategji konkrete, me buxhet, afate dhe objektiva, për ngritjen e kapaciteteve që sot mungojnë? Apo zgjidhja e përhershme do të vazhdojë të jetë bileta e avionit dhe transferimi drejt një spitali të huaj?

9. Pse dërgimi i një pacienteje jashtë vendit paraqitet si sukses institucional?

Sukses do të ishte që një paciente shqiptare të merrte në Tiranë të njëjtin standard trajtimi që merr në Stamboll, Romë, Berlin apo Paris. Transferimi mund të jetë një veprim i domosdoshëm dhe i drejtë, por ai njëkohësisht dëshmon se një kapacitet jetik mungon në Shqipëri.

10. Kur do të vijë dita që një shqiptar të mos ketë nevojë të largohet nga Shqipëria për të shpëtuar jetën?

Kjo është pyetja që përmbledh të gjitha të tjerat.

Sepse një sistem shëndetësor nuk matet vetëm me fasadat e spitaleve, konferencat, videot promocionale apo shifrat e buxhetit. Matet në momentin kur një qytetar është mes jetës dhe vdekjes dhe shteti duhet të tregojë se çfarë është realisht në gjendje të bëjë për të.

Urojmë me gjithë zemër që 25-vjeçarja ta fitojë betejën e saj dhe të kthehet shëndoshë në Shqipëri.

Por ndërkohë që ajo po dërgohet drejt Turqisë për të marrë trajtimin që i nevojitet, dikush në Ministrinë e Shëndetësisë duhet të ketë kurajën të bëjë pyetjen që nuk mund të mbulohet me asnjë njoftim propagandistik:

Përse një shtet që pretendon se po modernizohet me ritme marramendëse ende nuk është në gjendje t’u ofrojë qytetarëve të vet disa prej trajtimeve që mund t’u shpëtojnë jetën?

Dhe mbi të gjitha:

Sa vite të tjera duhet të presin shqiptarët që të mund të kurohen në vendin e tyre?

Artikulli i mëparshëmFranca dëbon dy diplomatë iranianë, thellohet përplasja diplomatike me Teheranin
Artikulli i radhësVrasja e turistit portugez në Ksamil, nën akuzë edhe punonjës policie e burgjesh që nuk ndërhynë