Qeveria ka prezantuar Programin Kombëtar të Strehimit “Rilindja 2.0”, duke e paraqitur si një hap të ri në politikat e banesave. Në qendër të nismës është premtimi për 4 mijë çifte të reja, por në këtë fazë mbeten ende të paqarta kriteret konkrete, afatet dhe mekanizmi se si do të zgjidhen përfituesit.

Premtimi për 4 mijë çifte, por pa detaje të plota
Sipas kryeministrit Edi Rama, programi parashikon që 4 mijë çifte të reja të pajisen me “çelës shtëpie”, të ndara në disa kategori përfitimi.
Ai tha se 2 mijë kredi do të jenë me interes zero për apartamente nën 60 mijë euro, ndërsa 2 mijë të tjera me interes 3% për apartamente mbi këtë vlerë. Megjithatë, kriteret e plota të përzgjedhjes nuk janë bërë ende publike, përveç njoftimit se ato do të sqarohen më vonë.
Qeveria flet për 6 skema strehimi
Paketa e paraqitur nga qeveria përfshin 6 programe, nga banesat sociale me qira te ndërtimet e reja, blerjet nga tregu dhe përshtatja e objekteve të konfiskuara për përdorim social.
Në listë përfshihen edhe banesat me kosto të ulët, subvencionimi i kredisë nga shteti, si dhe përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël.
Një program i veçantë lidhet me infrastrukturën në zonat informale për të përshtatur një pjesë të banesave si banesa sociale, ndërsa një tjetër parashikon strehim të përkohshëm për personat e prekur nga fatkeqësitë natyrore dhe banesa të përshtatura për persona me aftësi të kufizuara.
Shifra të servirura nga qeveria për bilancin e deritanishëm
Gjatë prezantimit, Rama deklaroi se deri më tani 30 mijë e 904 familje janë trajtuar nga politikat e strehimit të qeverisë.
Kjo është shifra e dhënë nga ekzekutivi, ndërsa mbetet për t’u parë sa prej këtyre rasteve kanë përfituar realisht zgjidhje të qëndrueshme strehimi dhe sa kanë mbetur në nivel skemash apo mbështetjeje të pjesshme.
Strehimi, i përzier me sulme politike ndaj drejtësisë dhe Tiranës
Në të njëjtin aktivitet, kryeministri e lidhi çështjen e strehimit edhe me situatën në Bashkinë e Tiranës, duke komentuar paraburgimin e Erion Veliajt me tone të forta politike.
Ai e cilësoi drejtimin e kryeqytetit pa kryebashkiakun në detyrë si një “eksperiment” me pasoja, duke sjellë në një event për strehimin edhe një përplasje të drejtpërdrejtë me mënyrën si po veprohet ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës.
Riorganizim institucionesh në një sistem të vetëm
Sipas versionit zyrtar, reforma do të shoqërohet me një organizim të ri institucional, ku Agjencia e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Enti Kombëtar i Banesave dhe bashkitë do të funksionojnë si një sistem i vetëm.
Qeveria e paraqet këtë si mënyrë për të rritur koordinimin, por pa sqaruar ende se si do të ndahen përgjegjësitë, kontrolli dhe llogaridhënia mes institucioneve që administrojnë fondet dhe skemat e strehimit.
Përtej paketës së shpallur me 6 skema, thelbi i debatit mbetet te zbatimi: kush përfiton, me çfarë kriteresh dhe sa transparent do të jetë përdorimi i fondeve publike në një sektor ku premtimet zakonisht bëhen më shpejt se rezultatet.
Për momentin, qeveria ka prezantuar objektivat dhe shifrat e saj politike; prova reale do të jetë te publikimi i rregullave, filtrit të përfituesve dhe mënyra si këto premtime do të përkthehen në banesa konkrete.
