Edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit u mbyll me shpalljen e fituesve, ku çmimi kryesor shkoi për filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” të regjisorit Gentian Koçi. Nata finale solli edhe vlerësime për aktorë, dokumentarë, filma me metrazh të shkurtër dhe figura të njohura të kinemasë shqiptare.

Filmi i Gentian Koçit merr çmimin kryesor
“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” u shpall filmi më i mirë i festivalit. Vepra e Gentian Koçit sjell historinë e dy vëllezërve që mësojnë se, për shkak të një sëmundjeje të rrallë gjenetike, do të humbasin shikimin në mënyrë të pakthyeshme.
Filmi ndërtohet mbi vendimin e vështirë që personazhet duhet të marrin, një rrëfim që e vendosi produksionin në qendër të vëmendjes së këtij edicioni.
Çmimet për aktorët kryesorë
Çmimi për aktorin më të mirë iu dha Blerim Destanit, i cili nuk ishte i pranishëm në festival. Ndërsa aktorja më e mirë u vlerësua Adriana Matoshi.
Në fjalën e saj, Matoshi u shpreh: “Këtë çmim sot po e marr në Prishtinë, por kujtimet më të mirat po i le n Tiranë”.
Vlerësim për Gjergj Xhuvanin dhe çmime të tjera
Për filmin më të mirë të karrierës u vlerësua regjisori Gjergj Xhuvani me “Liqeni im”, produksioni i fundit kinematografik i realizuar prej tij para ndarjes nga jeta.
Filmi, që rrëfen historinë e Kristos, një personazh që për shkak të vështirësive ekonomike të familjes kthehet në kontrabandues marijuane, mori një numër të lartë çmimesh në festival.
Në kategoritë e tjera, “Dritë” nga Yllka Gjollesha dhe Suela Bako u zgjodh dokumentari më i mirë. Ky film i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së fotografit John Milli. Ndërkohë, “Kampion” i Ermir Ketës u shpall filmi më i mirë me metrazh të shkurtër.
Akademia, publiku dhe homazhet për artistët
Përveç jurisë, në festival u ndanë edhe 15 çmime nga Akademia dhe 5 të tjera nga publiku.
Gjatë mbrëmjes finale, në praninë e orkestrës së RTSH-së që interpretoi kolona zanore nga filma të njohur, u nderuan edhe artistët që i kanë dhënë kinemasë shqiptare kontribute të rëndësishme dhe që nuk jetojnë më.
Tinka Kurti, momenti më i veçantë i mbrëmjes
Një nga çastet më të spikatura të natës ishte ndarja e Çmimit të Karrierës për Tinka Kurtin.
Aktorja u bë pjesë e finales së festivalit dhe publiku e priti në këmbë, me duartrokitje që zgjatën për disa minuta.
Mbyllja e këtij edicioni solli një panoramë të gjerë të kinemasë shqiptare, nga prodhimet artistike te dokumentarët dhe filmat e shkurtër.
Çmimet e ndara në festival konfirmuan vëmendjen ndaj emrave të njohur, por edhe ndaj veprave që kanë lënë gjurmë në ekranin shqiptar.
