Shqipëria paraqitet me tregues më të mirë ekonomikë dhe me nivel rekord të investimeve të huaja, por raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit lë pak vend për triumfalizëm. Në vlerësimin për klimën e investimeve, krahas shifrave pozitive, renditen të njëjtat nyje të forta që prej vitesh frenojnë biznesin: korrupsioni, pasiguria mbi pronën, konkurrenca e shtrembëruar, vonesat në drejtësi dhe mungesa e krahut të punës.

Rritje ekonomike dhe investime, por jo pa pikëpyetje
Sipas raportit, ekonomia shqiptare u rrit me 3.7 për qind gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni zbriti në rreth 2.2 për qind. Borxhi publik ndaj PBB-së ra nga 75 për qind në vitin 2021 në 52.6 për qind në vitin 2025.
Në të njëjtin vit, investimet e huaja direkte arritën në 1.84 miliardë dollarë, niveli më i lartë i regjistruar deri tani, ndërsa stoku total i tyre shkoi në rreth 17 miliardë dollarë. Edhe investimet amerikane shënuan rritje: stoku i FDI-së amerikane arriti në 490 milionë dollarë, nga 382 milionë një vit më parë, ndërsa investimet e reja amerikane gjatë 2025 u raportuan në rreth 72 milionë dollarë.
Raporti vëren se Shqipëria ofron përgjithësisht një regjim liberal për investimet e huaja dhe lejon, me disa përjashtime sektoriale, pronësi të plotë të huaj në kompani. Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe me SHBA për shmangien e taksimit të dyfishtë mbetet një boshllëk në marrëdhëniet ekonomike.
Paratë shkojnë te pasuritë e paluajtshme, ligji për strategjikët mbetet në lojë
Një pjesë e madhe e investimeve të huaja vijon të përqendrohet në sektorë që ngrejnë debat për cilësinë e modelit ekonomik. Në vitin 2025, 34 për qind e flukseve të FDI-së shkuan në pasuri të paluajtshme, 18 për qind në shërbime financiare, 10 për qind në industrinë nxjerrëse dhe 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Raporti evidenton edhe faktin se shumica e projekteve të miratuara si investime strategjike kanë qenë të fokusuara në turizëm dhe të financuara kryesisht nga investitorë vendas. Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 dhe i zgjatur disa herë, mbetet në fuqi deri në dhjetor 2026.
SPAK shihet si hap pozitiv, por korrupsioni mbetet në qendër të alarmit
Në pjesën për drejtësinë, raporti pranon se reforma e nisur në vitin 2016 ka sjellë ndryshime të mëdha dhe e konsideron krijimin e SPAK-ut dhe forcimin e strukturave kundër korrupsionit si zhvillim të rëndësishëm.
Por kjo nuk e zbut thelbin e problemit. Sipas raportit, investitorët e huaj vazhdojnë të shprehin shqetësime për korrupsionin në administratë, gjyqësor dhe prokurime publike, si edhe për konkurrencën e pandershme, pastrimin e parave dhe ekonominë informale.
Dokumenti nënvizon edhe koston e vakancave të krijuara në sistemin gjyqësor pas vettingut, me vonesa të dukshme në shqyrtimin e çështjeve, sidomos në gjykatat e apelit. Sipas DASH, edhe Bashkimi Evropian pret rritje të hetimeve për korrupsionin e profilit të lartë dhe një histori më solide ndjekjesh penale e dënimesh.
Prona dhe kadastra, plagë e vjetër që vazhdon të trembë investitorët
Një nga problemet më të qarta të evidentuara në raport mbetet pasiguria mbi pronësinë. Titujt e paqartë, dokumentacioni i paplotë, korrupsioni dhe problemet me regjistrimin e pasurive paraqiten si risk real për investitorët.
Sipas të dhënave të cituara në raport, rreth 91 për qind e territorit është regjistruar, por digjitalizimi ecën me ritëm të dobët. Vetëm 43 për qind e titujve të pronësisë, 69 për qind e dokumenteve mbështetëse dhe 10 për qind e hartave kadastrale ishin digjitalizuar.
Po aq shqetësues është edhe fakti se rreth 80 për qind e të dhënave të regjistruara më parë kërkojnë verifikim për të garantuar saktësinë. Objektivat e vendosura nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës parashikojnë përfundimin e digjitalizimit deri në fund të vitit 2026 dhe të regjistrimeve të para të pronave deri në vitin 2028.
Emigrimi, informaliteti dhe mungesa e stafit po godasin klimën e biznesit
Raporti ngre shqetësim edhe për emigrimin e të rinjve dhe punonjësve të kualifikuar, që po ngushton tregun vendas të punës. Në vitin 2025, forca e punës në Shqipëri ishte rreth 1.28 milionë persona, ndërsa numri i të punësuarve rreth 1.17 milionë. Papunësia zyrtare ishte 8.3 për qind.
Megjithatë, sipas raportit, kompanitë po hasin vështirësi në gjetjen e stafit dhe po detyrohen gjithnjë e më shumë të rekrutojnë punonjës nga vende të tjera, përfshirë Azinë Juglindore. Edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë e rendit mungesën e stafit të kualifikuar si një nga shqetësimet kryesore.
Informaliteti mbetet një tjetër barrë serioze. Sipas INSTAT, informaliteti në punësimin jo-bujqësor ishte 24.7 për qind në vitin 2024, ndërsa organizatat ndërkombëtare e vlerësojnë ekonominë informale në rreth 30 deri 35 për qind të PBB-së. Sipas raportit, kjo, bashkë me të ardhurat e paligjshme nga aktivitetet kriminale, shtrembëron konkurrencën dhe favorizon operatorët që nuk respektojnë të njëjtat rregulla fiskale e ligjore.
Raporti jep një panoramë me dy fytyra: nga njëra anë, rritje ekonomike, më shumë investime dhe tregues më të mirë financiarë; nga ana tjetër, institucione që ende nuk japin sigurinë që kërkon kapitali afatgjatë.
Mesazhi që del nga dokumenti është i qartë: shifrat pozitive nuk mjaftojnë kur korrupsioni, prona, zbatimi i kontratave dhe mungesa e fuqisë punëtore vazhdojnë të mbajnë peng klimën e biznesit në Shqipëri.
