Pas marrjes së vendimit për heqjen e tatimit mbi fitimin për biznesin me xhiro deri në 14 milionë Lekë, qeveria pritet të miratojë edhe një vendim tjetër i cili do t’i hapë rrugë ndryshimeve të ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar.
Burime kofidenciale bëjnë me dije se ekspertët e grupit të punës për Planin e Rimëkëmbjes Ekonomike, kanë finalizuar një draft i cili do të heqë TVSH-në për të gjithë bizneset me xhiro nga 0 deri në 14 milionë Lekë në vit.
Kjo kategori biznesesh ka numrin më të madh të ndërmarrjeve në Shqipëri, dhe pritet që për këtë grup të hiqet taksa mbi vlerën e shtuar prej 20%.
I vetmi diskutim i mbetur në këtë variant është nëse do të ketë heqje tërësisht të TVSH-së, që bizneset të mos jenë të kësaj përgjegjësie tatimore, apo ata të jenë në sistemin e TVSH-së dhe të marrin në fund të vitit rimbursimin për taksën e paguar.
Brenda grupit të punës ka dy qëndrime të ndara për këtë çështje, të cilta lidhen dhe me mundësinë e krijimit të hapësirave për evazion fiskal.
Pritet që nga kjo nismë e cila do të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar të përfitojnë 32.509 biznese. Taksa njësoj si tatimi mbi fitimin, do të hiqet deri në fund të vitit 2029, si pjesë e planit të rimëkëmbjes së ekonomisë pas krizës që shkaktoi Covid-19.
Heqja e tatim – fitimit do të lehtësojë kategorinë e biznesit nga 5 deri në 14 milionë Lekë xhiro, të cilët paguajnë 5% taksë çdo vit, ndërsa ata me xhiro 0 deri në 5 milionë e kanë ngarkesën tatimore 0.