Qeveria ka futur menjëherë në fuqi paketën e re për tubimet dhe protestat, një ndërhyrje që i jep më shumë dorë policisë për gjoba, kufizime në terren dhe mbledhje të të dhënave për persona të referuar ose nën hetim. Sipas versionit zyrtar, masat synojnë dhunën në protesta, por ndryshimet prekin drejtpërdrejt edhe ushtrimin e së drejtës së tubimit.

Gjobat rriten, maskat dhe mosbindja penalizohen më fort
Ndryshimet në ligjin për tubimet parashikojnë gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrje në një tubim të ndaluar dhe për fshehje të paligjshme të identitetit. Për mosbindje ndaj urdhrit të policisë për shpërndarjen e tubimit, gjoba shkon deri në 200 mijë lekë.
Në rastet kur personi është i maskuar, masa financiare bëhet edhe më e rëndë, nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë. Po ashtu, bllokimi i rrugëve gjatë tubimeve do të ndëshkohet me 5 mijë lekë për çdo ditë bllokimi për çdo individ, ndërsa gjobat do të vendosen nga Policia e Shtetit si kundërvajtje administrative.
Policia merr të drejtë të kufizojë protesta pranë institucioneve
Paketa i jep drejtuesit të policisë vendore, me miratimin e prefektit, të drejtën të ndalojë ose kufizojë tubimet në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore. Sipas aktit, kjo mund të bëhet kur konstatohet një rrezik real, serioz dhe i afërt për dhunë ose dëmtime të rënda të pronës.
Kufizimi mund të zgjasë deri në 72 orë dhe mund të rinovohet vetëm një herë me vendim të ri të arsyetuar. Ligji parashikon ankim në gjykatën administrative brenda 48 orësh, por ankimi nuk e pezullon automatikisht zbatimin e vendimit.
Ndërkohë janë përcaktuar edhe zona të mbrojtura, si stacionet dhe terminalet e transportit publik, portet, aeroportet, perimetrat e shkollave, institucioneve shëndetësore dhe objektet e trashëgimisë kulturore. Në këto raste, policia mund të urdhërojë largimin e një personi nga zona për deri në 48 orë.
Edhe rrjetet sociale futen në paketë
Sipas ndryshimeve, kur gjatë organizimit ose zhvillimit të një tubimi shpërndahen mesazhe me thirrje për dhunë në rrjete sociale, email ose komunikime telefonike, policia mund t’i kërkojë personit të identifikuar që ta fshijë përmbajtjen dhe të mos e përsërisë.
Nëse përmbajtja nuk hiqet ose sjellja përsëritet, parashikohen masa të tjera ligjore. Po ashtu, policia do të regjistrojë me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimeve dhe aktet e dhunës apo dëmtimet e pronës, me detyrimin formal për të respektuar rregullat e mbrojtjes së të dhënave personale.
Regjistër elektronik për të referuarit dhe verifikime në kufi
Krahas ndryshimeve në ligjin për tubimet, qeveria ka miratuar edhe krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar në prokurori ose nën hetim për vepra penale që lidhen me veprime të dhunshme gjatë grumbullimeve dhe protestave publike.
Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhëna për persona të identifikuar në materialet e referuara në prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme ndaj personave ose pronës publike dhe private.
Sipas vendimit, Policia Kufitare do të ketë akses të kufizuar në këtë regjistër për verifikime në kufi. Nëse gjatë verifikimit rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme, autoritetet kufitare mund të refuzojnë administrativisht daljen jashtë vendit, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin për kontrollin e kufirit shtetëror.
Në rastet kur dalja nuk refuzohet, autoritetet kufitare mund të njoftojnë autoritetet e vendit ku udhëton personi për faktin se ai është referuar për këto vepra. Vendimi parashikon gjithashtu që policia të njoftojë edhe strukturat private të akomodimit për persona për të cilët ka të dhëna konkrete dhe materiale të referuara në prokurori.
Vendimet kanë hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe përbëjnë një zgjerim të dukshëm të kompetencave të policisë në menaxhimin e protestave.
Në letër, akti flet për proporcionalitet dhe mbrojtje të të dhënave personale. Në praktikë, pesha e zbatimit do të bjerë mbi policinë dhe administratën, duke ngritur pikëpyetje reale për kufirin mes rendit publik dhe kufizimit të lirisë së tubimit.
