Sistemi gjyqësor po funksionon prej kohësh nën presionin e vakancave dhe dosjeve të prapambetura, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor po kërkon një zgjerim të ndjeshëm të organikës. Sipas projektit të propozuar, numri i gjyqtarëve do të rritet me 84 vende të përhershme, ndërsa skemës do t’i shtohen edhe pozicione rezervë e të përkohshme për të mbuluar boshllëqet që vetë sistemi nuk po arrin t’i përthithë.

Nga 417 vende në organikë, vetëm 309 gjyqtarë janë realisht në detyrë
Sipas dokumentit të KLGJ-së, aktualisht sistemi ka të parashikuar 417 gjyqtarë në organikë, por në detyrë janë vetëm 309. Diferenca lidhet me vakancat, një tregues që nxjerr në pah jo vetëm mungesën e burimeve njerëzore, por edhe vështirësinë e institucioneve për ta mbajtur funksional zinxhirin e drejtësisë.
Në këtë situatë, KLGJ propozon që numri i përgjithshëm i gjyqtarëve të shkojë në 528, duke përfshirë gjyqtarë të përhershëm, rezervë dhe të përkohshëm. Argumenti zyrtar është përballimi i ngarkesës dhe ulja e stokut të çështjeve që vijon të rëndojë mbi gjykatat.
Pjesa më e madhe e shtesës shkon për gjykatat e shkallës së parë
Në planin e paraqitur parashikohet shtimi me 84 gjyqtarë të përhershëm, ku 64 prej tyre do të shkojnë për gjykatat e shkallës së parë. Fokusi më i madh vendoset te juridiksioni i përgjithshëm dhe te gjykatat administrative, sidomos në Tiranë, aty ku ngarkesa duket se është përqendruar më fort.
Sipas shpërndarjes së propozuar, 44 gjyqtarë do të caktohen në juridiksionin e përgjithshëm: 18 në Tiranë, 6 në Durrës, 5 në Elbasan, 6 në Fier, 3 në Korçë, 3 në Shkodër dhe 3 në Vlorë.
Për juridiksionin administrativ parashikohen 18 vende të reja, nga të cilat 16 për Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 2 për Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë. Po ashtu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar propozohet të shtohet me 2 gjyqtarë.
Edhe Apeli dhe GJKKO në skemën e zgjerimit
Rritja e organikës nuk ndalet te shkalla e parë. Sipas planit, 20 pozicione të reja do të shtohen në gjykatat e apelit.
Nga këto, 6 gjyqtarë do t’i shtohen Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, 12 Gjykatës Administrative të Apelit dhe 2 shkallës së dytë të GJKKO-së. Shifrat tregojnë se barra më e madhe e shtesës po orientohet te hallkat ku grumbullimi i çështjeve duket më problematik.
KLGJ kërkon edhe organikë rezervë dhe 9 gjyqtarë shtesë për Gjykatën e Lartë
Përveç 84 vendeve të reja të përhershme operacionale, dokumenti parashikon edhe krijimin e 18 vendeve të përhershme të rezervës funksionale. Sipas versionit zyrtar, këta gjyqtarë do të shërbejnë për të zëvendësuar vakancat që krijohen kur anëtarë të sistemit angazhohen për periudha të gjata në institucione të tjera, si vetë KLGJ-ja apo Gjykata Kushtetuese.
Nëse kjo skemë miratohet, numri i vendeve të përhershme të gjyqtarëve pritet të rritet nga 417 në 519. Paralelisht, për një periudhë 9-vjeçare propozohet edhe shtimi me 9 gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, si masë e lidhur me përballimin e çështjeve të mbartura.
Në dokument argumentohet se këto 9 vende do të jenë me mandat të vetëm dhe të parinovueshëm, të lidhur me trajtimin e një kategorie të caktuar çështjesh, me synimin për të ulur stokun e akumuluar në Gjykatën e Lartë.
Pa staf dhe investime, shtimi në letër nuk mjafton
KLGJ pranon në thelb se rritja e numrit të gjyqtarëve nuk zgjidh vetvetiu problemin, nëse nuk mbështetet me administratë dhe infrastrukturë. Për 102 vendet e përhershme propozohet një minimum prej 336 punonjësish jogjyqtarë, ndërsa për paketën e përkohshme prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë parashikohen edhe 56 punonjës të tjerë.
Dokumenti nënvizon gjithashtu nevojën për ambiente, kapacitete ndërtimore dhe mbështetje teknologjike, duke rekomanduar një plan të posaçëm investimesh. Kjo do të thotë se zgjerimi i sistemit nuk është thjesht çështje emrash në organikë, por edhe faturë buxhetore e administrative që kërkon vendimmarrje përtej deklarimit të nevojës.
Propozimi i KLGJ-së vjen si përgjigje ndaj një sistemi që prej vitesh po lufton me mungesa strukturore dhe me stok çështjesh që zvarriten nga një hallkë në tjetrën.
Mbetet për t’u parë nëse rritja e numrit të gjyqtarëve do të shoqërohet realisht me kapacitetet mbështetëse që kërkon funksionimi normal i gjykatave, apo nëse problemi do të zhvendoset sërish nga mungesa e trupës te mungesa e kushteve.
