Vdekja e George Floyd gjatë një arresti policor në SHBA ka provokuar një seri protestash, të cilat shpesh kanë përfunduar në dhunë dhe vandalizëm.
Megjithatë vdekja e tij ka ndezur debatin për racizmin në mbarë botën.
Reagimet janë nga më të ndryshmet. Protestuesit kanë nisur të shembin statujat e atyre që akuzohen si tregtarë të skllevërve. Lokalet dhe kompanitë e ndryshme kanë nisur të rishikojnë politikat e tyre.
Kurse kompanitë e mëdha mediatike po rishikojnë programet, nëse kanë elemente racizmi.
Lajmi më i bujshëm erdhi nga kompania HBO Max, që hoqi nga shërbimi filmin e famshëm ‘Bashkë me erën’.
Filmi ikonë thuhet se kishte paragjykime raciale, të cilat ‘ishin të gabuara atëherë, janë të gabuara edhe tani’.
Filmi me më shumë fitime në histori, është kritikuar për mënyrën se si e portretizon ‘skllavërinë’.
Por teksa debati vazhdon, dy foto të hedhura online ndezën një diskutim të zjarrtë në rrjetet sociale. Fotot e hedhura nga Jesus Rodriguez tregojnë një supermarket amerikan. Produktet që mendohet se blihen kryesisht nga persona me ngjyrë, janë të kyçura me çelës.
“Është më shumë se policia,” shkruan autori i fotove, ndërsa një komentues thekson se “pronarët presin që personat me ngjyrë të vjedhin produktet e flokëve”.