Kur vendosi t’i bënte vizitë ekip it 100 ditë pas herës së fundit, ndoshta as vetë Ivan Gazidhisi nuk e priste një takim aq të zjarrtë e të tensionuar. Administratori u paraqit në qendrën stërvitore të “Milanello”-s si motivues 48 orë përpara ndeshjes gjysmëfinale në Kupën e Italisë kundër Juventusit, por planet e tij u shkërmoqen me të parë.
SITUATA
Numri 1 i sektorit teknik u prit nga organika e plotë, e cila kryesohej nga kapiteni Romanjoli, Bonaventura, portieri Begoviç dhe Zlatan Ibrahimoviç. Ka qenë ky i fundit ndër më të tensionuarit dhe menjëherë e ka sulmuar verbalisht Gazidhisin duke i kërkuar shpjegime për mungesën e gjatë teksa ka marrë si përgjigje se do të takohet më shpesh me grupin.
Suedezi akoma nuk i ka falur drejtuesit shkarkimin e Bobanit, megjithatë diskutimi ka qenë i përqendruar në mungesën e mbështetjes që ka ndier ekipi. “Ky nuk është Milani im, nuk ka një projekt të qartë dhe nëse sot jam ende këtu, është vetëm për shkak të pasionit që kam për këtë klub”, mësohet të ketë thënë 38-vjeçari që me fjalët e tij e ka theksuar edhe më tepër hendekun që ka me drejtuesin afrikano-jugor.
PASOJA
Nga ana e tij, Gazidhis mendonte se po u sillte kuqezinjve lajmin e mirë të përgjysmimit të vetëm një rroge mujore, por ka gjetur përpara një grup të nervozuar, gjendja e të cilit mund të jetë përkeqësuar pas ballafaqimit të së mërkurës. Teksa Pioli ka marrë pjesë vetëm fizikisht në takim, Romanjoli i ka bërë të qartë administratorit se momenti i takimit nuk ishte fort i përshtatshëm.
Në anën tjetër, mes kuqezinjve ka pasur edhe qëndrime të tjera. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, disa nga futbollistët nuk e kanë mirëpritur pozicionin e marrë nga Ibra që në këto kushte e bën edhe më të qartë idenë e tij për t’u larguar nga Milani në fund të sezonit aktual.