Një detaj i vogël në draftin për ndryshimet kushtetuese ka zbuluar, përtej çdo dyshimi, se në parlamentin e Shqipërisë nuk ka deputetë “rebelë”. Ka vetëm disa aktorë të dobët që i binden Edi Ramës.
Ata bëjnë sikur duan ndryshim sistemi, depozitojnë amendamente kushtetuese që ndalojnë koalicionet, Rama bën sikur është nën presionin e tyre për vota, që të prishë marrëveshjen për reformën dhe të veprojë në mënyrë të njëanshme për të mos lejuar opozitën të dalë e bashkuar në një koalicion fitues.
Por të gjithë këtë teatër, të inskenuar nga Edi Rama, e hedh në erë një detaj….
Ilir Rusmali është ekspert i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Ai i paraqet Komisionit dhe Këshillit Politik projektligje sipas kërkesave që miratohen në Komision ose në Këshill.
Ky është rregulli zyrtar, por eksperti i Komisionit është përdorur në fshehtësi nga Edi Rama për të shkruar draftin e deputetëve “rebelë”, që gjoja kerkojnë ndryshim sistemi. Kur drafti i dorëzuar në komision hapet në kompjuter, ai tregon (në foton poshtë) se është punuar nga kompjuteri i familjes Rusmali.
Lindita Rusmali është bashkëshortja e ekspertit dhe punon në Kuvendin e Shqipërisë.
Vërtetë mbikëqyr një reformë, por jo atë zgjedhore. Merret me Reformën në Drejtësi. Përdorimi i ekspertit të Reformës Zgjedhore për të shkruar fshehtas draftin e deputetëve që bëjnë sikur nuk i binden Ramës, tregon qëllimin e vërtetë të Kryeministrit. Ai po kërkon të ndalojë rotacionin politik duke paracaktuar rezultatin në tavolinë përmes skemave të tilla, me amendamente që përgatiten nga ekspertë të paguar nga Rama dhe që, pastaj, shiten si propozime deputetësh./DOSJA.AL