Raporti/ SHISH ngre alarmin për fuqizimin e bandave shqiptare

0

Euronews Albania sjell ekskluzivisht një pjesë të raportit vjetor të Shërbimit Informativ Shtetëror, ku ngre alarmin e fuqizimit të strukturave kriminale, tani edhe jashtë vendit. Në raport theksohet se vlerat monetare dhe pasuria e përfituar nga veprimtaria kriminale ndër vite të favorizuar nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë, pandëshkueshmëria apo niveli i ulët i saj, po përdoren nga këto grupe për zgjerimin e aktivitetit të narkotrafikut jashtë vendit, kryesisht në drejtim të drogave të forta.

Inteligjenca shqiptare thekson se individët që i kanë shpëtuar drejtësisë janë vendosur në vende të huaja dhe prej andej shërbejnë si ura lidhëse të trafikut me elementë kriminalë brenda vendit ku përveçse në vendet evropiane, janë aktivë edhe në vendet e origjinës së kokainës e heroinës, ku bashkëpunojnë me elementë kriminalë lokalë.

Bandat shqiptare që operojnë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike kanë bazën e tyre kultivimin e kanabisit. Por si bëhet kalimi nga lënda narkotike e kanabisit tek drogat e forta si heronia apo kokaina?

SHISH thekson se evidentohen raste të shkëmbimit të kanabisit me droga të forta, si heroinë dhe kokainë. Alarmant mbetet fakti se edhe agjencia e inteligjencës shqiptare pranon se bandat kriminale ndërmjet tyre punësojnë vrasës profesionistë me pagesë për larje hesapesh ku edhe për vitin 2019, atentate të tilla s’kanë qenë të pakta.

Shërbimi Informativ Shtetëror analizon një aspekt tjetër të krimit të bandave kriminale, atë të krimeve ekonomike. Sipas shërbimeve sekrete, parat e bandave kriminale pastrohen në disa fusha biznesi si ai i ndërtimit, pasuritë e paluajtshme, hoteleri-turizmi dhe zonat bregdetare e ato urbane mbeten më tërheqëset, pasi ofrojnë potencial për kthimin shumëfish të investimit fillestar./ EuroNews Albania

Artikulli i mëparshëmPostimi i fortë i ish-deputetit: A e ka shitur qeveria ishullin e Sazanit?
Artikulli i radhësCOVID-19/ Kreu i parë i shtetit që vdes nga koronavirusi