Turizmi solli neto 93 mln euro në tremujorin e parë, do të mungojnë pas COVID-19

0

Në tre muajt e parë të këtij viti, udhëtarët e huaj sollën në Shqipëri 346 milionë euro, sipas të dhënave të Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë. Tendenca në dy muajt e parë ka qenë në rritje, por bllokimi i lëvizjeve nga mesi i muajit mars bëri që për tremujorin, prurjet valutore nga turistët të binin lehtë me 2 milionë euro.

Nuk janë kursyer as shqiptarët që udhëtojnë jashtë. Ata kanë shpenzuar në tre muajt e parë të vitit 253 milionë euro në rrugët që kanë bërë jashtë, me një rënie prej 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bilanci neto, i parave të mbetura në Shqipëri nga udhëtimet ishte pozitiv prej 93 milionë eurosh për të njëjtën periudhë.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë gjatë tre muajve të parë 2020 është 573.723, duke rënë me 17,5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Efekti erdhi tërësisht nga marsi, që shënoi një tkurrje prej 62%.

E njëjta tendencë u shënua dhe për shqiptarët, ku numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë gjatë tre muajve të parë 2020, është 1.100.290 duke rënë 12,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Efektin sërish e dha marsi, me tkurrje prej 61%.

Në tremujorin e dytë të vitit, lëvizjet e shtetasve kanë qenë minimale, si ata që ikin ashtu dhe ata që hyjnë, për shkak të bllokimit tërësor të lëvizjeve dhe pezullimit të fluturimeve e linjave të tragetit për qëllime tregtare. P.sh., në prill, muaji i fundit kur INSTAT raportoi të dhënat, lëvizjet e shtetasve ranë me 97%, si në dalje dhe në hyrje.

Pritshmëritë nuk janë optimiste as për tremujorin e tretë, që përkon me periudhën e verës. Nga 15 qershori pritet të rifillojnë disa linja si p.sh. me Vjenën dhe Athinën, por me frekuencë shumë më të ulët sesa përpara COVID-19. Operatorët turistikë pohojnë se shumë prenotime janë anuluar. Situate mbetet e paqartë me shtimin sërish të rasteve me COVID-19, pas lehtësimit të masave.

I vetmi lajm i mirë ishte rifillimi i charter-ave, ku në datën 12 erdhën 192 turistë nga Bjellorusia, të parët që vizitojnë vendin në këtë sezon turistik. Linja është Bellavia, kompania ajrore shtetërore e Bjellorusisë.

Gjatë vitit 2020, Shqipëria shënoi një rekord të ardhurash nga udhëtimet dhe turizmi, prej 2 miliardë eurosh, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Në kahun tjetër, shqiptarët shpenzuan jashtë 1.5 miliardë euro, çka bëri që bilanci neto i turizmit në vend të ishte 500 milionë euro.

Artikulli i mëparshëmCOVID-19/ Vijon rritja e shifrave, konfirmohen 69 raste pozitive në 24 orët e fundit
Artikulli i radhësA duhet shkarkuar një gjyqtar sepse një shtet i huaj i revokon vizën?