Kapiteni i Juventusit dhe Italisë Xhorxho Kielini paralajmëroi se mund të tërhiqet nga futbolli vitin e ardhshëm.
Qendërmbrojtësi juventin u shpreh në një intervistë mbrëmjen e djeshme se do të vlerësojë të gjitha rrethanat për vazhdimin e karrierës së tij pas përfundimit të kampionatit europian, i cili do të luhet vitin tjetër për shkak të koronavirusit.
“Vitin tjetër do të përpiqem të kuptoj se në çfarë gjendje do të jem. Të shikoj se si do të ndihem, ka mundësi që në fund të vitit të ardhshëm mund të tërhiqem nga futbolli. Do të dëshiroja të merrja një drejtim tjetër në futboll, ky sport është jeta ime. Ta mbyll karrierën me një paraqitje të mirë në kampionatin europian do të ishte diçka ideale. Shpresoj të jem në kondicionin më të mirë fizik për të jetuar këtë moment”, deklaroi veteran italian Xhorxho Kielini.