Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka folur në lidhje me mbështjen psikologjike që po ju jep lojtarëve të tij, gjatë periudhës të vështirë që po kalojnë në izolim.
Arteta, i cili pak kohë më parë mposhti COVID-19, thotë për “BT Sport” se është shumë e rëndësishme të afrohet me lojtarët e tij dhe që ata të kenë mundësi të shprehen me të, duke shtuar se shumë prej tyre janë larg familjeve.
“Kanë pajisjet dhe udhëzimet e duhura për të qëndruar në formë, mirëpo unë isha i shqetësuar edhe për gjendjen e tyre psikologjikë dhe sesi ndikon kjo në aspektin sportiv.
I kam dhënë detyra, por edhe jam munduar t’i njoh më mirë. Jam munduar të afrohem me ta, për të kuptuar si është familja e tyre dhe çfarë po bëjnë ata për t’i ardhur në ndihmë atyre.
Dua të ndihen të afërt me mua, në mënyrë që të kenë besim dhe të më tregojnë për ndjesitë e tyre. Kemi shumë njerëz që jetojnë vetëm, me familjet e tyre larg. Prandaj ata duhet të ndihen të mbrojtur në një vend të huaj,” tha Arteta.