Kujdes para se të aplikosh për Green Card: avokati amerikan sqaron qytetarët

0

Për probleme të emigracionit në SHBA, sqaron avokati amerikan Kieran Both, duke iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve.

Kam në plan të bëj kërkesë për green card. Di të flas dhe të lexoj në anglisht dhe i kam parë udhëzimet. Kam vendosur të përpiqem ta përgatis vetë aplikimin. A mund të më jepni ndonjë sugjerim? BD, Mt. Pocono, PA

Nëse nuk keni një avokat që të mund t’ju ndihmojë, është shumë e rëndësishme që t’i lexoni udhëzimet me shumë kujdes. Duhet t’i përgjigjeni me radhë të gjitha pyetjeve në aplikim. Disa nga pyetjet mund të jenë çorientuese ose me kleçkë, kështu që përpara se të dërgoni aplikimin, është mirë të siguroheni që jeni të qartë për përgjigjet që keni dhënë, pasi nuk do të keni më mundësi që t’i korrigjoni.

Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) ka hedhur poshtë aplikime për green card menjëherë pasi ka marrë aplikimin dhe pa dërguar më parë kërkesë për dokumentacion shtesë (RFE) apo njoftim paraprak që bën të ditur që ka ndërmend ta hedhë poshtë aplikimin në fjalë. Në këto vendime thuhej që arsyeja pse ishin refuzuar aplikimet qëndronte në mungesën e provave fillestare bazë të mjaftueshme. Në disa raste, ky dokumentacion ishte përfshirë në aplikim, por USCIS e kishte injoruar atë. Në të kaluarën, kur merrej vendim që dokumentacioni provë ishte i pamjaftueshëm, i gjithë aplikimi ose kthehej mbrapsht ose pranohej dhe më pas lëshohej një kërkesë për dokumentacion shtesë në mënyrë që aplikanti të dërgonte dëshminë që mungonte.

Refuzimet e tilla të vëna re kohët e fundit mund të jenë shenjë që po zbatohet më tej politika që i jep zyrës së emigracionit liri veprimi të ndjeshme për të hedhur poshtë një aplikim apo peticion/lutje në ato raste kur mungon dokumentacioni provë fillestar pa patur nevojë që të lëshojë më parë një kërkesë për këtë dokumentacion.

Me qëllim që të zvogëloni gjasat që t’ju hidhet poshtë aplikimi për mungesë dokumentacioni fillestar, duhet t’i kushtoni vëmendje gjërave sa më poshtë:

Shikoni me kujdes udhëzimet përpara se të dërgoni aplikimin apo lutjen si dhe kontrolloni faqen e internetit të USCIS-it që të siguroheni që formulari që po përdorni është i versionit të duhur. Disa nga formularët janë përditësuar këto gjashtë muajt e fundit.

Përpara se të dërgoni aplikimin apo peticionin, sigurohuni që formularët i keni mbushur plotësisht dhe i keni firmosur. Në disa formularë, por ende jo në të gjithë, rekomandohet që aty ku keni lënë kutizë bosh, të paplotësuar të shkruani me dorë ose shtyp shënimin “N/A” (me përjashtim të rasteve kur udhëzuesi kërkon diçka tjetër) ose të shkruani me dorë ose shtyp “None” aty ku vlera numerike që kërkon përgjigje është zero ose asnjë (me përjashtim të rasteve kur udhëzuesi kërkon diçka tjetër). Shkruajeni në formular nëse versioni që mund të mbushet nuk e pranon atë lloj shënimi.

Kontrolloni më shumë se një herë aplikimin që keni bërë gati për të postuar që të siguroheni që keni futur gjithshka: formularët që ju kërkohen, dokumentacionin fillestar të nevojshëm si dhe dëshmitë shtesë në mbështetje të aplikimit, si dhe format e duhura të pagesës për tarifën/at e aplikimit.  Nëse nuk e keni një pjesë të dokumentacionit të nevojshëm, qoftë fillestar qoftë dokumentacion në mbështetje të aplikimit (si p.sh. dëshmi që jeni i martuar), atëherë duhet të paraqisni një shpjegim të detajuar si dhe dëshmi tjetër që mund të ndihmojë në shpjegimin e arsyeve pse nuk e dispononi këtë dokumentacion.

Paraqisni aplikimin me një letër shoqëruese ose/dhe vendosni në krye një listë e cila të tregojë qartë emërtimet e të gjithë dokumentave që keni paraqitur.

Çertifikatat e lindjes, çertifikatat e martesës, dokumentat e divorcit duhet të jenë në përputhje me ato që parashikon manuali i Departamentit të Shtetit për Punët e Jashtme ose lista e tarifave për viza dhe dokumente të gjendjes civile të cilën mund ta gjeni në https://travel.state.gov/content/travel/en/us-visas/Visa-Reciprocity-and-Civil-Documents-by-Country.html/.  Kontrollojeni rregullisht këtë listë të dokumentave të gjendjes civile dhe të tarifave të ndërsjella, sepse shpeshherë futen ndryshime për të cilat nuk bëhet paraprakisht njoftim. Nëse nuk e keni në dispozicion dokumentin primar, atëherë duhet të ndiqni udhëzimet në listën e reciprocitetit dhe të bëni ç’është e mundur që ta siguroni dokumentacionin primar. Dëshmitë dytësore duhen paraqitur vetëm në ato raste kur dokumentacioni primar nuk është në dispozicion.

Dëshmi që ju kanë lejuar të hyni në SHBA në mënyrë të ligjshme – përfshihen këtu të gjitha dokumentat që kanë të bëjnë me hyrjen apo pranimin në SHBA të tilla si formulari I-94, vula e pranimit CBP, ose vula e vizës. Nëse nuk keni një apo më shumë dokumente të tilla atëherë duhet të paraqisni dëshmi dytësore.

Ligjet e emigracionit specifikojnë akte ligjore, kushte si dhe sjellje të cilat e bëjnë të huajin të papërshtatshëm për të aplikuar për green card. Këto akte janë ato që përcaktojnë arsyet për papranueshmëri në SHBA. Formulari I-485 ka një listë të plotë të përditësuar të pyetjeve që kanë të bëjnë me papranueshmërinë. Personave që janë të papranueshëm nuk u lejohet të hyjnë ose të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara. Në kategoritë e përgjithshme të papranueshmërisë përfshihen shëndeti, veprat penale, siguria kombëtare, barra publike, mungesa e çertifikatës së punës (nëse kërkohet), mashtrimi, shtrembërimi i fakteve, deportimi apo dëbimi i mëparshëm nga vendi, prania e paligjshme në Shtetet e Bashkuara si dhe kategori të tjera të ndryshme.

Është jashtë mase e rëndësishme që aplikantët për green card të mbushin me kujdes pjesën 8 të formularit I-485 (Part 8). Gama e pyetjeve që lidhen me pranueshmërinë është e gjerë dhe aplikantët ndërkohë që mbushin formularin duhet të marrin në konsideratë të gjithë sjelljen e tyre në të kaluarën. Ka një numër të konsiderueshëm dënimesh në rast mashtrimi apo shtrembërimi të fakteve, ku ndër të tjera përfshihen gjoba të rënda si dhe ndjekje penale. Individit mund t’i hiqet përgjithmonë e drejta për t’u futur në SHBA, me përjashtim të rasteve kur individi mund të kualifikohet për falje ose i është aprovuar falja. Nëse aplikanti i përgjigjet “po” cilësdo nga pyetjet lidhur me sigurinë, formulari I-485 kërkon që ai ose ajo të paraqesin në hapësirën e lënë apostafat për këtë gjë në pjesën 14 të formularit (Part 14) një shpjegim të ngjarjeve dhe rrethanave.

I inkurajojmë lexuesit tanë që të marrin një avokat emigracioni me përvojë për të përgatitur dhe mbushur formularin I-485. Duhet të tregoheni të hapur me avokatin dhe t’i jepni të gjithë informacionin që ka të bëjë me sjelljen tuaj në të kaluarën në mënyrë që ai ose ajo të jenë në gjendje t’ju ndihmojnë. Nëse keni diçka delikate në të kaluarën tuaj mund të kërkoni një konsultim në privat me avokatin. Një avokat me etikë profesionale nuk do ta ndajë këtë informacion as me prindërit dhe as me bashkëshorten/in tuaj./Marre nga gazeta Illyria.

Artikulli i mëparshëmDyqanet në krizë si pasojë e pandemisë/ Mallrat e pashitura prej muajsh humbasin vlerën
Artikulli i radhësPronat dhe të drejtat e minoritetit kusht për Shqipërinë në BE