Nëse bizneset nuk e kthejnë kredinë e dytë sovrane brenda dy vitesh, atëhere do të jetë Ministria e Financave që do të ndjekë kthimin e tyre.
Botohen në fletoren Zyrtare ndryshimet në marrëveshjen e “Garancisë sovrane 2” “Për garantimin e huamarrjes së tregtarëve ose shoqërive tregtare, për të mundësuar financimin e nevojshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situate e krijuar nga Covid-19”. Për bizneset që nuk do ta kenë të mundur të shlyejnë detyrimet, 2 vjet pas marrjes së kredisë nëpërmjet “Garancisë sovrane 2”, sipas vendimit të miratuar nga qeveria, ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ndjekë procedurat ligjore për rikuperimin e detyrimit. “Nëse pas pagesës së garancisë nga MFE-ja për ndonjë prej Huave, Huadhënësi, brenda afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, rikuperon një pjesë ose të gjithë detyrimin e Huasë (duke përfshirë edhe rikuperimin në përmjet ekzekutimit të kolateralit, nëse ka një të tillë) që paraprakisht është paguar nga garancia, Huadhënësi brenda një afati prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune duhet të njoftojë me shkrim MFE në në lidhje me vlerën e rikuperuar, procedurat e rikuperimit, shpenzimet e rikuperimit dhe çdo detaj tjetër që gjykon të arsyeshëm në lidhje me rikuperimin”, parashikojnë ndryshimet në nenin 7 të vendimit. Totali i fondit nga “Garancia sovrane 2” është 15 miliardë lekë. Shteti hyn garant për 60% të principalit të huasë, ndërsa 40% do të mbulohet nga bankat. Qëllimi i huadhënies është për investime, likuidet apo kapital qarkullues. Kredia me garancinë e dytë sovrane ka normë interesi deri në 5%.
Si ndryshon rekuperimi post-pagesës së garancisë
1. Me kryerjen e pagesës së garancisë për ndonjë prej Huave, MFE-ja merr në dorëzim menjëherë të gjitha të drejtat dhe mjetet ligjore, që zotëronte Huadhënësi ndaj Huamarrësit, sipas përcaktimeve të Marrëveshjes së Huasë dhe në masën e çdo pagese të kryer nga MFE-ja në kuadër të garancisë për këtë Hua. Këto të drejta dhe mjete ligjore i kalojnë MFE-së, së bashku me të drejtat dhe mjetet ligjore që ka në bazë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit.
2. MFE-ja, nëpërmjet kësaj marrëveshje, autorizon Huadhënësin që të ndjekë, në emër dhe për llogari të MFE-së, të gjitha procedurat e rekuperimit të detyrimeve, në përputhje me procedurat ligjore dhe praktikat e sektorit bankar, për të gjithë shumën e detyrimit të Huamarrësit. Në çdo rast Huadhënësi merr përsipër të kryejë të paktën të njëjtat procedura për rekuperimin e detyrimit, ashtu si për detyrimin e vetë Huadhënësit. Huadhënësi është i detyruar të njoftojë menjëherë MFE në për çdo veprim procedurial të kryer gjatë procedurës së ekzekutimit vullnetar ose të detyrueshëm, me qëllim që të mos cenohen të drejtat materiale apo proceduriale të MFE–së. Përjashtimisht, palët, me marrëveshje të veçantë, mund të bien dakord që të heqin dorë nga ndjekja e procedurave për ekzekutimin e detyrimit, në rastet kur vlerësojnë se kostot e këtyre procedurave tejkalojnë masën e të gjithë detyrimit.
3. Nëse pas 2 (dy) viteve nga data e kryerjes së Pagesës së Garancisë, Huadhënësi nuk ka mundur të rekuperojë detyrimet e Huamarrësit, MFE-ja zotëron të drejtën që të ndjekë vetë procedurat ligjore për rekuperimin e detyrimeve, në masën e çdo pagese të kryer nga MFE-ja, në kuadër të garancisë për këtë Hua, në përputhje me të drejtat dhe mjetet ligjore që ka në bazë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit.
4. Nëse pas pagesës së garancisë nga MFE-ja për ndonjë prej Huave, Huadhënësi, brenda afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, rekuperon një pjesë ose të gjithë detyrimin e Huasë (duke përfshirë edhe rekuperimin në përmjet ekzekutimit të kolateralit, nëse ka një të tillë) që paraprakisht është paguar nga garancia, Huadhënësi brenda një afati prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune duhet të njoftojë me shkrim MFE në në lidhje me vlerën e rekuperuar, procedurat e rekuperimit, shpenzimet e rekuperimit dhe çdo detaj tjetër që gjykon të arsyeshëm në lidhje me rekuperimin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, MFE-ja udhëzon me shkrim Huadhënësin në lidhje me detajet e pagesës. Afati për kryerjen e pagesës nga Huadhënësi në favor të MFE-së do të jetë si më poshtë:
a) Në rastin kur rekuperimi është në formën e mjeteve monetare (cash), pagesa do të kryhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune nga data e marrjes së instruksioneve me detajet e pagesës nga MFE-ja.
b) Në rastin kur rekuperimi nuk është në formën e mjeteve monetare, pagesa do të kryhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune nga data e konvertimit të rekuperimit në mjete monetare (cash). Konvertimi i rekuperimit në mjete monetare (cash) do të kryhet në përputhje me procedurat dhe politikat e Huadhënësit për këtë qëllim.
5. Vlera që Huadhënësi paguan në favor të MFE-së, në rast të rekuperimit të detyrimit të Huamarrësit nga Huadhënësi pas Pagesës së Garancisë, është e barabartë me vlerën e rekuperuar pasi t’i jenë zbritur principali dhe interesi i papaguar ndaj Huadhënësit, si dhe shpenzimet për rekuperimin e Huasë.
6. Në rast se Huamarrësi, përveç detyrimit që buron nga Huaja nën këtë Marrëveshje Garancie, ka edhe detyrime të tjera ndaj Huadhënësit, atëherë ndjekja e detyrimit që buron nga kjo Hua ndiqet njëkohësisht me ndjekjen e detyrimeve të tjera, pa asnjë lloj diskriminimi nga Huadhënësi.”
7. Të gjitha nenet e tjera të kësaj Marrëveshje, mbeten të pandryshuara.