Institucioni i Avokatit të Popullit ka përpiluar një hetim të hollësishëm në lidhje me deportimin e shtetasit turk Harun Çalik nga vendi ynë në fillim të këtij viti.
Nga ky investigim u konstatuan shkelje të rënda si; mosmarrjen apo mos administrimin e kërkesës për azil të shtetasit H. Ç dhe mosrespektimin e parimit të moskthimit në vendin e origjinës; nxjerrjen e urdhrit të dëbimit në kundërshtim me ligjin “Për të huajt”, si për sa i përket ekzistencës së shkakut të dëbimit, por edhe mënyrës së ekzekutimit të tij; mosrespektimin e procedurave dhe afateve të përcaktuara në ligj për mënyrën e ekzekutimit të këtij dëbimi; mosdhënien e mundësisë për ushtrimin e të drejtës së ankimit ndaj urdhrit të dëbimit.
Në përfundim të hetimit Avokati i Popullit i ka nisur një listë me rekomandime Policisë së Shtetit duke i kërkuar asaj të marrë masa për respektimin e të drejtave të të huajve në Republikën e Shqipërisë konform me konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas.
Avokati i Popullit ka konstatuar problematika në lidhje me procedurat e ndjekura dhe dokumentacionin e përpiluar nga autoritetet e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë për rastin e deportimit të shtetasit turk Harun Çalik ndaj i ka rekomanduar Policisë së Shtetit të kryejë një analizë të hollësishme të tyre.
Po ashtu është kërkuar hartimin e një udhëzuesi që do të shërbejë për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë nga ana e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu Avokati i Popullit ka tërhequr vëmendjen që situata të tilla si ajo me shtetasin turk Harun Çalik duhet të mos përsëriten në asnjë mënyrë në të ardhmen.