Çfarë fshihet prapa një ngushëllimi të munguar të Edi Ramës?!

0

“Jemi thellësisht të trishtuar nga humbja e parakohshme e Dr. Arjan Pushit. Ai e dha jetën, ndërsa ishte në shërbim të të tjerëve dhe do të kujtohet si hero!”

E dini i kujt është ky mesazh ngushëllimi për profesorin e njohur të hematologjisë, i cili u bashkua si vullnetar me kolegët e tij infeksionistë dhe epidemologë gjatë kësaj flame të COVID-19, që ka mbërthyer keqas vendin tonë?

I ambasadores amerikane në vendin tonë Yuri Kim.

Këto 24 orë për këtë ngjarje të dhimbshme që tronditi bluzat e bardha dhe gjithë opinionin publik, nuk ngeli institucion, politikan, kryetar partie, president e ish-president, media e qytetar që ndoshta nuk e njihnin fare, pa shprehur ngushëllime dhe keqardhje për ndarjen e parakohshme nga jeta të mjekut Pushi.

I gjithë ky pikëllim nuk lidhet thjesht me faktin pse iku një profesionist i zoti dhe e para bluzë e bardhë që ra viktimë e Covid-19 në vendin tonë, por sepse ashtu siç thotë ambasadorja Kim ai, “dha jetën në shërbim të të tjerëve dhe do të kujtohet si hero”.

Por në gjithë këtë valë keqardhje dhe ngushëllimesh dhe mirënjohje për sakrificën e 55-vjeçarit që dha jetën në krye të detyrës, mungoi vetëm reagimi i një njeriu dhe një shtetari; atij që duhej të ishte i pari që duhej të artikulonte apo që shkruante dy fjalë për atë që ambasadorja Kim e quan hero.

Dhe ky është kryeministri Edi Rama, i cili ditën e djeshme kur zyrtarisht u njoftua se kishte ndërruar jetën doktor, Arjan Pushi, sfidonte gazetarët në Prishtinë me një zhveshje totale të rrobave për t`u treguar, se çfarë trupi ka pa antiplumb!

Edhe ndërkohë që po shkruhet ky shënim, kryeministri ka uzurpuar ekranet e TV-ve dhe në kuadër të fushatës elektorale për gati një orë, pasi “përuroi” autostradën Thuman-Kashar, sot na prezantoi një super-rrugë tjetër në 3D, atë Milot-Fier!

E hapi thesin duke nxjerrë 1.2 miliarda euro virtuale dhe një video 3D e cila “lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë”, por sërish nuk gjeti kohë që të thotë dy fjalë për vdekjen nga koronavirusi të një mjeku në krye të detyrës!

Po përse mungon ky ngushëllim i kryeministrit të vendit, për doktor Arjan Pushin?!

Sepse nëse flet për këtë humbje, duhet që të japë shpjegime edhe për atë që ka ndodhur veçanërisht muajin e fundit në sistemin shëndetësor dhe posaçërisht për QSUT, e cila është kthyer në një vatër gjigante infeksioni.

Dihet që nisi me një infermiere “të papërgjegjshme” sipas ministrisë së Shëndetësisë, por nuk dihet se përse u lejua që kjo situate të agravonte deri në atë pikë, sa që njerëzit sot kanë frikë që të shkojnë e të kurohen në qendrën e vetme spitalore që ofron të gjitha shërbimet, te “Nën Tereza”?!

Duhet të shpjegojë, se përse dhe kush e mban përgjegjësinë që janë pikërisht institucionet shtetërore ku po infektohen qindra punonjës dhe janë shndërruar në vatra infeksioni dhe rrezik i madh për qytetarët në gjithë Shqipërinë.

Përse në ditët kur maksimumi kishim 24 raste të infektuarish në ditë, Edi Rama, na mbiu në televizion dhe rrjetet sociale duke na kërkuar që të lajmë duart dhe të zbatojmë distancimin, tani që rastet janë 3-fishuar bën sikur asgjë nuk po ndodh?!

Përse ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Policia e Shtetit dhe institucione të tjera e kanë lënë epideminë në mëshirë të fatit dhe të atyre qytetarëve që nuk janë të informuar sa duhet, për rrezikun e madh që kemi vërdallë?

Përse mungojnë nëpër ekrane mjekët, specialistët, ministrat dhe vetë Rama, pikërisht tani që situate edhe e të infektuarve, edhe e të vdekurve është ku e ku më e keqe se atëherë kur na mbinë përpara syve, 24 në 24 orë?!

Në fund të fundit përpara se të fajësojë Bashkimin Europian që na la jashtë hapjes, duhet që të na thotë se përse nuk e rrit e numrin e testimeve siç bën Serbia dhe Mali i Zi; çfarë masash ka marrë që sistemi shëndetësorë të mos kalojë në kolaps, siç paralajmëroi dy ditë më parë për Shqipërinë Organizata Botërore e Shëndetësisë?!

Të gjitha këto dhe shumë e shumë problematika të tjera që lidhen me dështimin spektakolar të qeverisë Rama në këtë situatë të rëndë që po kalojmë, të kujtohen kur mendon se si vdiq pa asnjë shkak tjetër përveç infektimit nga COVID-19 (sipas kolegëve),  një mjek në shërbim të njerëzve!

Artikulli i mëparshëmThumana e mashtruar: Ende mes rrënojave, në vend të kantiereve
Artikulli i radhësRama shfaqi mllefin dhe mungesën e përsëritur të ndjeshmërisë për Kosovën