Ndërsa mori fjalën në parlament në përgjigje ndaj deputetes Rudina Hajdari, kryeministri Edi Rama shprehu ‘pakënaqësitë’ e tij lidhur me marrëveshjen e firmosur mes palëve për reformën zgjedhore.
“Znj.Hajdari unë besoj që për sa më takon, e për sa na takon jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe që, ta shprehim respektin për nevojën e konsensusit duke mos ndarë ata që janë jashtë nga ju që jeni këtu brenda. Duke mos i konsideruar ata që janë jashtë si zotërues të monopolit të opozitës dhe ju brenda si mbetje e përkohshme në këtë parlament, po si opozita që sot ky parlament ka. Natyrisht që nuk do të ishte mbase e udhës që të shpjegoj se kjo qasje e jona nuk lidhet me faktin që s’i kemi votat. Pasi për të miratuar kodin zgjedhor dihet kërkohet një shumicë e cilësuar që nuk e kemi në këtë Kuvend. Po e sjell këtu këtë fakt për të nënvizuar atë që ka qenë e qartë në vijën tonë të sjelljes.
Ne nuk do të kërkojmë rrugën e diversionit aq me pak të aritmetikës sikundër për fat të keq edhe ju më parë, kolegu juaj dhe zëdhënësi i fuqishëm i këtij ndryshimi, Murrizi na kanë akuzuar se duam ta mbyllim këtë pazar të Damianit me Oerdin duke blerë vota. Ndërkohë që, sot konsensusi nuk është dot produkt i shëndetshëm nëse shihet si rezultat i një marrëveshjeje mes dy palëve ndërkohë që në politikë në këtë fazë janë tre palë. Pavarësisht se ju e keni firmosur vetë marrëveshjen mbi të cilën është ngritur puna e detajuar.
Besoj që ne na takon si forca më e madhe politike por edhe si forcë që ka përgjegjësinë të shohë përtej interesave të saj të përpiqemi deri në fund për një konsensus ku cdo palë do duhet të pajtohet me faktin që nuk mund të marr gjithçka dhe duhet t’ju kujtoj juve këtu e ata që nuk janë e dërgojnë edhe ultimatume nga jashtë, për cfarë duhet të bëjë Kuvendi, që edhe PS ka të drejtën të thotë diçka. Nuk jeni një pakicë e ndarë në dy dhe vini vetëm kërkoni e i bini këmbës, për të marrë sipas jush atë që i duhet popullit ndërkohë që vullnetin e popullit e përfaqësojmë ne, as ju as ata. Nuk është nevoja për të vazhduar me provokime qoftë nga jashtë qoftë nga brend.
Atyre jashtë u them s’keni tagër t’i jepni urdhra Kuvendit. Sot kreu i kuvendit pavarësisht se i është drejtuar një urdhër, jemi të zhgënjyer nga fjalia e fundit që ju keni firmosur ku thuhet se Kuvendi duhet ta votojë atë marrëveshje pa asnjë ndryshim e pa kushte. Nuk di të ekzistojnë në këtë planet ndonjë institucion tjetër vec Gjykatës Kushtetuese, në raste të caktuara që mund t’i diktojë kuvendit një gjë apo një tjetër. Tani mblidheni ju 4 veta, në një shtëpi shumë të dashur për shqiptarët, që praktikisht sot është tokë amerikane, dhe fusni një firmë atje, dhe kuvendi ta marr letrën tani dhe këta thjeshtë të votojnë.”- u shpreh Rama.
Shefi i maxhorancës i kërkoi Hajdarit një reflektim për marrëveshjen dhe tha se konsensusi duhet të prodhojë një rezultat të qëndrueshëm për shqiptarët dhe vendin.
“I fusni një firmë atje, Kuvendi ta marrë këtë letrën tani dhe thjesht të votojë. Kujtim po të drejtohem me emër tani kam përshtypjen se vuan nga fakti që nuk të ka persekutuar njeri në komunizëm dhe do të persekutohesh nga parlamenti duke dalë jashtë. Të lutem mos më ndërprit. Është një dilemë që opozita juaj është dhe monarkike dhe demokristiane. Është një zhvillim i ri kur monarkia metamorfoizohet.
Sot jemi në një proces dhe mendoj se ju zonja Hajdari ju takon që një reflektim ta bëni për faktin që ne e kemi respektuar jo vetëm me fjalë nismën tuaj. Do thoni ju që s’kishim mundësi të bënim ndryshe, mbase. Mbase sepse nuk i keni votat por nga ana tjetër duhet të reflektoni dhe për faktin se është një proces kur konsensusi duhet të prodhojë një rezultat të qëndrueshëm për shqiptarët dhe vendin dhe ku çdo palë duhet të bëjë koncesionet e veta. Ne jemi pala që bëjnë më shumë koncesione.
Në këtë rast koncesione politike jo për vepra publike”, tha Rama.