Alpha Bank: Ristrukturimi i kredisë, “Deri më tani janë mbështetur 60% e kërkesave të klientëve huamarrës”

0

Flet Georgios Papanastasiou, Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania

Me daljen e urdhrit të përbashkët të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe kryeministrit të vendit, Alpha Bank filloi të identifikojë menjëherë huamarrësit e saj që mund të përfitonin nga shtyrja e pagesave të kësteve të kredive.

Georgios Papanastasiou, Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania pohon se banka ka mbështetur deri më tani 60% të klientëve huamarrës, të cilët kanë shprehur interes të përfitojnë nga masat lehtësuese. Ai shton se efekti i pandemisë do të zgjasë përtej 3 muajve dhe klientët do të përballen me ndryshime asimetrike në financat e tyre

Z.Papanastasiou jep mesazhin që duhet të jemi optimistë; pas çdo rënie ekonomike vjen rritja: “Kështu ka qenë, është dhe do mbetet cikli ekonomik”.

A kanë filluar kërkesat nga klientët për ristrukturim të kredive sipas orientimeve të BSH-së?

Duke u bazuar në masat dhe ndryshimet rregullative të ndërmara për lehtësimin e procesit të ristrukturimit të huave për shkak të masave anti-COVID-19, Alpha Bank Albania ka mbështetur deri më tani 60% të klientëve huamarrës të cilët kanë shprehur interes të përfitojnë nga këto masa lehtësuese. Menjëherë pas publikimit të urdhërit të përbashkët të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë për shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredisë për biznese dhe individë, të cilët do të hasnin vështirësi si pasojë e COVID-19, Banka aktivizoi një proces të mirë-orientuar dhe të organizuar.

Praktikisht, Banka filloi të identifikojë menjëherë huamarrësit e saj që mund të përfitonin nga kjo shtyrje dhe të kontaktojë menjëherë me ta, duke i orientuar dhe ndihmuar për të realizuar kërkesat e tyre brenda një kohe të shkurtër. Të udhëhequr edhe nga vizioni dhe vlerat e Grupit Alpha Bank ne vazhdojmë të jemi pranë klientëve tanë në këtë periudhë sfiduese dhe në fakt po përforcojmë edhe më shumë marëdhënien solide që kemi krijuar me ta përgjatë këtyre 22 viteve që ne operojmë në Shqipëri.

Nëse keni dijeni çfarë natyre kanë kërkesat e klientëve?

Kërkesat vijnë si nga klientë individë ashtu edhe nga klientë biznesi të cilët janë prekuar financiarisht nga pandemia dhe kërkojnë mbështetje për të respektuar detyrimet kontraktuale që ata kanë me Bankën. Një pjesë e klientëve tanë individë po përballen me reduktim të të ardhurave familjare ndërkohë që klientët e biznesit si pasojë e situatës aktuale ekonomike të krijuar nga një faktor i paprecedentë siç është pandemia COVID-19 janë ndikuar nga një rënie e theksuar e kërkesës, mosfunksionim normal të tregjeve të mallrave apo të tregjeve financiare por edhe nga masat e marra nga qeveria kundër COVID-19 si distancimi social i njerëzve, mbyllja e përkohshme e një sërë biznesesh të vogla, humbja e vendeve të punës për shkaqe të ndryshme përfshirë këtu edhe nevojën për të ndihmuar njerëzit nën kujdestari (fëmijët dhe të moshuarit) etj.

Si një nga shtyllat kryesore të sistemit bankar, ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën e mundshme për të mbështetur klientët tanë, ndërkohë që sigurojmë stabilitetin afatmesëm dhe afatgjatë të sistemit bankar dhe ekonomisë në tërësi.

A parashikojnë bankat ndikim më afatgjatë të këtij procesi?

Mendoj që efekti i pandemisë do të zgjasë përtej 3 muajve dhe klientët do të përballen me ndryshime asimetrike në financat e tyre por kjo sfidë na gjen ne si Alpha Bank Albania me një pozicion kapitali të konsoliduar dhe likuiditet të mjaftueshëm; tregues këta shumë të rëndësishëm të cilët na mundësojnë që në këto momente historike që po jetojmë të jemi të përgatitur dhe të gatshëm për të mbështetur klientët tanë të kalojnë me sukses çdo vështirësi dhe pa dyshim të mbështesim rimëkëmbjen e ekonomisë Shqiptare. Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë si me klientët tanë ashtu edhe me Qeverinë Shqiptare dhe mendoj që duhet të jemi optimistë; pas çdo rënie ekonomike vjen rritja: Kështu ka qenë, është dhe do mbetet cikli ekonomik.

A ka filluar procesi i aplikimit?

Siç kam përmendur më sipër procesi ka filluar që në momentin e parë që vendimi u publikua. Ne jemi të angazhuar pothuajse 24/7 duke qënë se çdo ndryshim i papritur kërkon kohë për t’u përshtatur. Procesi ka patur problematika, të lidhura këto herë me klientin, herë me kuadrin ligjor e rregullator por edhe me procedura të bankës që kërkonin ndryshime.Sidoqoftë ne jemi të bindur që po ecet në rrugën e duhur dhe në fund të këtij procesi do të jemi ballëlartë.

Çfarë përfiton klienti nga shtyrja e pagesave për periudhën në fjalë?

Klienti përfiton shtyrje të kësteve të kredisë apo të gjithë kredisë pa u penalizuar financiarisht. Klientëve do t’u ofrohet çdo zgjidhje e mundshme brenda kuadrit të paketës dhe politikave që po ndërmerren nga Qeveria.

Banka e shqyrton në detaje kërkesën e klientit dhe a mund të bjerë në dakordësi me të për me shumë se sa kaq, nëse e gjykon të nevojshme?

Brenda kuadrit ligjor dhe rregullator banka edhe para krizës së tanishme ka qenë gjithnjë në krah të klientëve që kanë shprehur qartazi dëshirën për të përmbushur detyrimet ndaj bankës. Të gjithë këta klientë kanë përfituar, përfitojnë dhe do të përfitojnë lehtësira. Nëse ekziston dëshira e mirëdhe fryma e bashkëpunimit ne gjithmonë ofrojmë zgjidhjen më të mirë të mundshme, sa herë që ajo kërkohet.

Artikulli i mëparshëmZjarr në bllok merr flakë pema/ Qytetarët hedhin ujë nga ballkonet për të shuar zjarrin
Artikulli i radhësRihapen nesër qendrat e kontrollit të makinave, sportelet për taksat e rinovimin e patentave. Ja makinat që mund të kryejnë kolaudimin