Seehofer: Rreziqe dhe kërcënime hibride nga Kina

0
Seehofer: Rreziqe dhe kërcënime hibride nga Kina

Ministri i Brendshëm gjerman është i shqetësuar për ndikimin në rritje të Kinës dhe për zhvillimet në Hong Kong. Kina ndjek me forcë interesat e veta dhe paraqet rreziqe hibride, tha Horst Seehofer.

“Ne e dimë që kinezët janë të interesuar për sektorët e infrastrukturës sona,” theksoi ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, në një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag”. Kina kryen për shembull veprimtari në fushën e spiunazhit paralelisht me strategjinë e saj të re të Rrugës së Mëndafshit. Taktika e sotme kineze është e ndryshme nga ajo që kemi përjetuar në Luftën e Ftohtë, tha ministri.

Ndihma për të korrur lëvdata

Ministri i Brendshëm gjerman shtoi se kriza e koronës tregon se Kina përbën tashmë “një konkurrencë për sistemin” dhe ndjek me forcë dhe pa skrupuj interesat e saj, me të cilat neve na duhet të përballemi.

Fillimisht Pekini ndau me botën pak informacione rreth virusit. Kurse tani bën gjithçka të mundshme që “të marrë lëvdata për luftimin e virusit”. Kina dërgon “materiale mbrojtëse në të gjithë botën që bota ta konsiderojë si ndihmëtare”, tha Seehofer.

Pekini shkel me këmbë të drejtat themelore të Hong-Kongut

Ministri i Brendshëm gjerman Seehofer komentoi në intervistë edhe situatën në Hong-Kong. Ai tha se po i ndjek zhvillimet atje “me shumë kujdes”.

Megjithë kritikat në mbarë botën, Kina miratoi javën e kaluar një ligj për mbrojtjen e sigurisë kombëtare në Hong-Kong. Ky ligj është shkelja më e gjerë në autonominë e rajonit administrativ special kinez.

Protestë kundër Kinës në Hong-Kong

Sipas leximit zyrtar, ligji drejtohet kundër përpjekjeve për “separatizëm” dhe për “minimin e bashkimit kombëtar”. Aktivistët e të drejtave civile e akuzojnë Kinën se me ligjin e ri dëshiron të shtypë çdo formë kundërshtimi.

Si po i përgjigjet BE-ja kursit të Kinës në Hong Kong?

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister (CDU) i bëri thirrje BE të veprojë më shumë kundër Kinës. Në “Welt am Sonntag” ai u shpreh për një reagim të koordinuar me partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të bërë presion mbi Pekinin.

Nënkryetari i grupit parlamentar të FDP në Bundestag, Alexander Graf Lambsdorff, tha: “Pekini po shkel të drejtat themelore të njerëzve në Hong Kong”.

Kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Wolfgang Ischinger, kërkoi mbi të gjitha unitet në radhët e evropianëve: “Së pari gjëja më e rëndësishme dhe më kryesorja, është që Bashkimi Evropian të përpiqet të zhvillojë një politikë koherente BE-Kinë dhe të flasë me një zë”.

Artikulli i mëparshëmKosova përballë një epidemie tjetër: Ethet Hemorragjike Krime – Kongo nga rriqrat
Artikulli i radhësMuzika në zi, vdes mjeshtri i madh i muzikës italiane