Astrit Sinanaj, personi që u dënua ditën e sotme me 25 vite burg mban mbi kurriz katër vepra të rënda penale. Ai u dënua për katër veprat penale “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Mbajtjes pa lejë të armëve shpërthyese”, “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Por si ndodhën dy atentatet e dështuara në Elbasan, që përgatiti Sinanaj, planet për të vrarë biznesmenin Fuad Verzivolli.
Në datën 6 maj të vitit 2017, Astrit Sinanaj i vendosi 1 kg tritol të llojit C4, poshtë makinës së biznesmenit Fuad Verzivolli. Lënda plasëse u konstatua nga nëj person në zonë, i cili telefonoi kushëririn e tij që punon polic.
Sipas dosjes së Prokurorisë, oficeri i policisë gjyqësore pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Elbasan i quajtur Saimir Dika, ka pohuar se ka qenë i pranishëm në momentin kur ka shkuar policia dhe ka rrethuar zonën. Në dëshmi, ai ka treguar se ëhstë njoftuar nga një i afërm i kolegut të tij.
“… Në datën 6 maj 2017 rreth orës 09:45 minuta kam qenë duke pirë kafe tek bar “Grandi” dhe më ka telefonuar djali i hallës së një kolegut tim Libiond Përmarku dhe quhet Martin Gjergji dhe më ka thënë se përpara lokalit që unë kam me qëra, dyshohet se është një bombë.
Unë i kam thënë se telefono policinë dhe i thashë numrin 129, Pas kësaj telefonate ka shkuar tek vendi i ngjarjes dhe në momentin që po bënte një foto ka dëgjuar një plasje si ato të kapsollave që përdorin fëmijët në raste festash,”- mësohet të ketë thënë ai ndër të tjera.
Kamerat e sigurisë të bizneseve përreth tregonin se një person që vendos sasinë e tritolit dhe më pas largohet me një automjet “Fiat”. Sipas targës së mjetit, u thirr për t;u marrë në pyetje Thanas Thoma, i cili rezultoi të ishte pronari.
Gjatë dëshmisë, ai deklaroi se në atë datë, ka kaluar me makinë në qëndër të Elbasanit, ku aty ishte takuar me një të njohurin e tij të quajtur Astrit Sinanaj, të njohur nëpërmjet një shokut të tij të quajtur Martin Arapi.
“U ulëm në barin e kazinosë ku punoj së bashku me Astritin, pimë një kafe dhe më pas ika në shtëpi,”- mësohet të ketë thënë ai.
Për këtë ngjarje është marr në pyetje dhe Astrit Sinanaj, i cili ka pohuar se nuk kishte njohje me biznesmenin Fuad Verzivolli, dhe se ishte rastësisht në vendin e ngjarjes.
Por, Sinanaj nuk u dorëzua. Disa ditë më vonë, ai organizoi një tjetër atentat. Këtë herë vendosi një sasi tritoli në derën e lokalit të biznesmenit Fuad Verzivolli me emrin “Club Havana” në Elbasan. Edhe këtë herë, shënjestra nuk u prek, por Sinanaj nuk u shpëtoi prangave.
Ai u arrestua bashkë me bashkëpunëtorin e tij Thanas Thoma. dy të pandehurit Sinanaj dhe Thoma, në momentin e arrestimit kanë kuptuar se në qelinë e tyre ndodhej një pajisje përgjimi. Ka qenë Sinanaj ai që i ka bërë me shenjë shokut të tij Thoma që të mos fliste, pasi po i përgjonin, kështu nga fjalët e të pandehurve nuk u mor vesh gjë.
“Mos fol se do përfundojmë keq,”- mësohet të ketë thënë Sinanaj.
Pas hetimeve të mëtejshme u arrestua edhe Gentian Kllogjri. Për çështje verifikimesh, të pandehurit u liruan pas 40 ditësh nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, por Gjykata e Apelit në Durrës e kundërshtoi këtë masë. Apeli kërkoi kthimin në burg të Sinanajt, por tashmë ishte shumë vonë. 42-vjeçari nuk u gjet në banesë kur efektivët shkuan ta arrestonin. Pas dy vitesh ai u arrit të arrestohej dhe sot ka marrë dënimin.
Astrit Sinanaj njihet edhe si kushëriri i Julian Sinanajt, i cili mban edhe nofkën ‘Ujku i Vetmuar’.
Julian Sinanaj është dënuar me 30 vite burg. Ai ka rrëfyer për grupin hetimor se ka ndërtuar bombën, e cila më pas u vendos në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Ka vrarë biznesmenin Agron Çela në Vlorë, peshkatarin Sokol Veizaj në Orikum, ka vendosur tritolin në shtëpinë e Ardian Kollozit deputet i PD si dhe do të vriste biznesmenin e gazit Piro Bare. Për bashkëpunimin me drejtësinë Sinanaj i shpëtoi burgimit të përjetshëm dhe u dënua vetëm me 30 vite burg.(Dosja)