Foli për rotacionin dhe mosprekjen e ‘5 qershorit’/ Rama del kundër Yuri Kim

0

Një ditë pasi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim foli për reformën zgjedhore, duke nënvizuar se nuk duhet prekur marrëveshja e 5 qershorit, kryeministri Edi Rama doli i prerë në fytyrë në një konferencë për shtyp duke deklaruar se do bëhen ndryshime për të garantuar listat e hapura. “Nuk më detyron askush të bëj gjëra,” insistoi Rama disa herë. Komentet e tij vijnë pasi Kim bëri edhe një deklaratë se rotacioni i pushtetit është i mirë, njësoj si qarkullimi i gjakut. “Mendoj se rotacioni i pushtetit, nëse kjo është ajo që duan njerëzit, nëse kjo është ajo që njerëzit vendosin, është gjithmonë diçka e mirë në një demokraci. Është si qarkullimi i gjakut. Por është patjetër një nga ato gjërat ku, e dini, edhe në vendin tim, në fare pak muaj do të ketë zgjedhje. Dhe në pak muaj në këtë vend, do të ketë zgjedhje, shpresoj, dhe do të shohim çfarë do të vendosin njerëzit,” tha ajo.

Çfarë mendoni se do të ndodhë me reformën zgjedhore? Duket shumë e ndërlikuar kur vjen tek votat. Sepse, ironikisht, kemi shumicën që thotë i pëlqejnë ndryshimet por nuk ka votat. Keni opozitën jashtë parlamentit që thotë i pëlqejnë ndryshimet por nuk i ka votat. Kemi dhe ata që kanë votat por nuk janë dakord. Opozita parlamentare. Si do shkojë mendoni?

Ambasadorja Kim: Është e ndërlikuar sepse, mendoj, opozita që është jashtë parlamentit bëri një gabim. Nuk duhet të kishin ikur. Thënë kjo, ata fituan shumë vota në zgjedhjet e fundit pra qartësisht përfaqësojnë një pjesë domethënëse të popullsisë. Pra duhet të jenë pjesë e diskutimit, ndaj mendoj se ishte diçka shumë e mirë që u kthyen në tryezë për të negociuar çështjen e reformës zgjedhore.  Në të njëjtën kohë, opozita që qëndroi në parlament bëri saktësisht gjënë e duhur. Në një kuptim, ata shpëtuan demokracinë shqiptare. Dhe sigurisht, shumica është shumica. Ajo që di është se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe, me sa di, kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen që arritën dhe kjo është diçka e mirë. Pritshmëria ime është që do ta ruajnë atë. Është e patjetërsueshme.

Ajo që është arritur, doni të thoni marrëveshja?

Ambasadorja Kim: 5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Dhe mendoj që nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit. Tani, e di po ashtu që për shumë njerëz, 5 qershori nuk mjafton.

Po.

Ambasadorja Kim: Sepse kur njerëzit flasin për ndryshim dhe reformën zgjedhore, duan sistemin e hapur. Dhe unë e kuptoj këtë, por siç e kam thënë më parë, e dini, synimi ynë i menjëhershëm është shumë specifik. Është që të sigurohet që Shqipëria të hyjë në BE. Pjesa tjetër, nëse mund të arrihet një marrëveshje, mrekulli. Të bëhet. Por ajo që nuk duam është një situatë pengmarrjeje kur diçka që është ekstra mban peng diçka që është e nevojshme.

E kuptoj.

Ambasadorja Kim: Nuk mund të jetë dhe nuk mund ta mbështes këtë.

Pra, është një lloj mesazhi që shkon kryesisht për qeverinë sepse ata kanë votat, ata kanë aftësinë të luajnë me votat në parlament. Por ju thoni që tek marrëveshja nuk ndërhyhet, po?

Ambasadorja Kim: Po them që marrëveshja, 5 qershori, është mbyllur dhe nuk mund ta hapim përsëri.

Artikulli i mëparshëmVIDEO/ Momentet e fundit të kryebashkiakut para vetëvrasjes
Artikulli i radhësUEFA vendos ku do të luhen ndeshjet e kthimit të Champions dhe Europa League