Një pjesëtar kryesor i ekipit të Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit hodhi poshtë një aludim të Presidentit Donald Trump se mjekët në institucionet federale po gënjejnë publikun për përmasat e epidemisë në SHBA.
Presidenti postoi në Twitter një koment të Chuck Woolery, ish-prezantues i një emisioni argëtues televiziv, i cili shkruante se “të gjithë gënjejnë”, përfshirë Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve, dhe “mjekët tanë, jo të gjithë, por pjesën më të madhe, të cilëve na është thënë t’u besojmë”.
Por Admirali Brett Giroir, admirali që është i përfshirë në ekipin e Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit, tha në emisionin “Today” të rrjetit NBC; “Ne mund të bëjmë gabime nganjëherë, bazuar në informatat që kemi, por asnjë nga ne nuk gënjen”.
“Ne jemi plotësisht transparentë me popullin amerikan. Asnjë nga ne nuk është gjithmonë 100% i saktë, por ne e pranojmë këtë fakt,” tha admirali.
Në përgatitje për zgjedhjet, presidenti është munduar të zbusë ndikimin e virusit në komentet e tij, duke thënë kohët e fundit se ndikimi i infeksioneve të reja në SHBA në 99% të rasteve “është krejt i parrezikshëm”. Gjatë javëve të fundit Presidenti Trump ka pasur kontakte të kufizuara me ekspertin kryesor amerikan të sëmundjeve infective, Dr. Anthony Fauci dhe ka thënë se megjithëse personalisht e pëlqen, Fauci ka bërë “shumë gabime”.