Vendi i tretë në botë, numri i të infektuarve me koronavirus në Indi kalon një milion

0
Indi

India u bë të premten vendi i tretë në botë që regjistroi mbi një milion raste me koronavirus, pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit, që kanë mbi 3.5 milionë, përkatësisht mbi 2 milionë.

Vetëm në 24 orët e fundit, India konfirmoi mbi 34,000 raste të reja.

Me më shumë se 600 njerëz që vdesin çdo ditë, autoritetet kanë rikthyer masat e izolimit për miliona të tjerë, të cilat kanë nisur të lehtësohen në mes të majit.

Më herët, vatra të koronavirusit kanë qenë qytetet e mëdha, si Mumbai dhe Nju Delhi, por qytetet e vogla dhe zonat rurale, ku jetojnë rreth 70 për qind e indianëve, kanë nisur të ngrenë alarmin së voni.

Rajoni turistik bregdetar i Goas, të enjten në mbrëmje, është bërë shteti i fundit indian që është rifutur në izolim.

Epidemiologët thonë se India është ende larg kulmit të infeksioneve.

“Në muajt e ardhshëm, do të shohim gjithnjë e më shumë raste dhe kjo është ecja natyrore e çdo pandemie”, tha Giridhar Babu, epidemiolog në Fondacionin jofitimprurës të Shëndetit Publik të Indisë.

“Derisa ecim përpara, qëllim duhet të jetë vdekshmëria më e ulët. Një sfidë kritike me të cilën do të përballen shtetet, do të jetë shpërndarja në mënyrë racionale e shtretërve spitalorë”, tha ai.

Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 13.8 milionë njerëz, bëjnë të ditur shifrat e Universitetit Johns Hopkins, me seli në SHBA.

Sipas tyre, gati 590,000 njerëz kanë vdekur dhe mbi 7.7 milionë janë shëruar.

Artikulli i mëparshëmTabaku: “Me amnistinë fiskale, Shqipëria parajsë për krimin e organizuar”
Artikulli i radhësSondazhi/ Një në pesë zviceranë nuk beson se ekziston koronavirusi