Përfaqësuesi i Ndrangheta-s: Kush është ‘Xhaxhai’ nga fshatrat e Peshkopisë

0

Policia e Shtetit ka finalizuar dje një tjetër operacion ndërkombëtar, duke vënë në pranga gjashtë persona të shpallur në kërkim.

Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Shqipëri, Itali, Argjentinë e Kosta Rika. Në një njoftim zyrtar, Policia bëri të ditur se u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, shtetasi Bujar Sejdinaj, i njohur me nofkën “Xhaxhai”, përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri e në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Belloço”. Shtetasi Bujar Sejdinaj akuzohet se ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë.

Po në kuadër të operacionit është bërë dhe arrestimi në Elbasan, më 26 maj 2020, i shtetasit Adrian Cekini, i cili ka qenë i shpallur në kërkim. Në të njëjtën kohë në Argjentinë u bë arrestimi i shtetasve, Ferdinando Sarago, korrier dhe njeri i besuar i Ndrangheta-s; shtetasi Giovanni di Pietro, lindur në Romë, me emrin M. P., i cili ishte personi që bënte lidhjet midis furnizuesve të drogës të Amerikës së Jugut dhe familjeve mafioze italiane; shtetasi Fabio Pompetti, lindur në Argjentinë, bashkëpunëtor i ngushtë i F. M., i cili u arrestua edhe në operacionin e kryer në nëntor 2019.

Me bashkëpunimin e Interpol San Hoze në Kosta Rika u arrestua në qytetin Jaco shtetasi Franco D’Agapiti, lindur në Velletrim (Itali), bashkëpronar i një hoteli “Casino” në Kosta Rika. Ky shtetas ishte vendosur në Kosta Rika dhe ishte bërë pikë referimi për organizatat kriminale.

Bujar Sejdinaj, njihet si përfaqësuesi i Ndranghetas në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit, e në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Belloço”, shkruan Panorama.

Por i ashtuquajturi “Xhaxhai”, jo vetëm ka organizuar blerjen e rreth 20 kg kokainë. Në vitin 2019, shtetasi Alesandro Fonti anëtar i familjes mafioze Ndrina Belloco ka ardhur në Shqipëri për të takuar dy bashkëpunëtorët, Cekini dhe Sejdinaj. Në këtë takim Adrian Cekini ka ndërmjetësuar për udhëtimin e mëtejshëm të “Xhaxhait” drejt Italisë.

Në datën 22 shkurt Gianfranco Marono, Fonti dhe “Xhaxhai” realizojnë në Santiago de Compostela një takim me furnizuesin e drogës, me të cilin mendohet se është koordinuar importi. Takimet kanë vazhduar brenda muajit për të realizuar blerjen. Sipas autoriteteve italiane, faktet rëndohen pasi veprimtaria mes anëtarëve kryhet në mënyrë mafioze dhe me qëllim për të ndihmuar organizatën e “Bellocos”. I pari që u arrestua është Çekini, i cili sipas autoriteteve, është përsëritës sa kohë ai po kërkohej edhe nga Gjykata e Milanos që prej 2017-ës.

Mësohet se 61-vjeçari Bujar Sejdinaj është me origjinë nga fshati Ostren i Vogël i Peshkopisë, por banues në Tiranë.

“’Ndrangheta’, një rrjet krimi i organizuar në Itali, që sa vjen e forcohet, ka kryer një veprimtari të paligjshme me vlerë prej 69 miliardë dollarësh vetëm gjatë vitit 2007”, kanë bërë të ditur hetuesit italianë. Ekspertë të krimit në Itali kanë pohuar më herët se kjo organizatë ia ka kaluar mafies siçiliane, duke u renditur si më i madhi rrjet trafikant i drogës në Itali.

Artikulli i mëparshëmZbuluan ilaçin kundër Covid-19, profesorët bëhen milionerë
Artikulli i radhësKoronavirusi/ Obezët janë 3 herë më të rrezikuar nga vdekja