Njerëzimi mund të ketë nevojë për vaksinim të përvitshëm si për gripin në mënyrë që të mposhtet Covid-19. Kështu thotë një profesor i njohur britanik, që ka udhëhequr një seri studimesh për vaksinat.
Profesori i Imperial College, Robin Shattock thotë se virusi mund të mbetet mes nesh për dekada me radhë. Sipas tij, do të duhet një seri vaksinash për të eliminuar plotësisht sëmundjen në shkallë globale.
Duke folur për BBC, ai komentoi deklaratën e tij se koronavirusi do mbetet mes nesh për dekada: “Është e vërtetë dhe ka shumë gjasa që ne të kemi nevojë për vaksinim të vazhdueshëm, ndoshta në bazë vjetore, siç bëjmë për gripin”.
“Një nga avantazhet e kësaj qasje është se doza është e ulët dhe mund të përdoret aq shpesh sa të jetë e nevojshme”, tha ai.
Vaksina ndaj gripit bëhet çdo vit për të mbrojtur të rritur dhe fëmijët nga gripi dhe komplikacionet e tij.
Për koronavirusin janë në testim dhjetëra vaksina. Disa kanë dhënë rezultate pozitive.