Gallinara, një ishull në formë breshke në brigjet e Albenga dhe Alassio (Savona), u ble për mbi 10 milion euro nga miliarderi ukrainas Olexandr Boguslayev, 42 vjeç. Lajmin e ka raportuar gazeta e njohur italiane Corriere della Sera.
Ishulli, që ishte në pronësi të Kishës deri në 1842 dhe ju shit më pas individëve privatë, i përkiste një Srl në pronësi të 9 familjeve të Ligurias dhe Piemontes. Më 17 qershor u realizua transferimi i pronësisë në një kompani në Montecarlo të lidhur me Boguslayev. La Gallinara ndodhet rreth 1.5 km larg bregdetit, dhe aktualisht është një rezervë natyrore.
“Unë mund t’ju siguroj që nuk do të lejohen ndërtime dhe spekulime të tjera duke marrë parasysh statusin e saj natyralist – është komenti i kryetarit të Albenga Riccardo Tomatis – për pjesën tjetër administrata e qytetit është e gatshme të bashkëpunojë për përmirësimin e ishullit në kuadër të kujdesit dhe mirëmbajtjes së tij, si dhe si një tërheqje kulturore turistike, por me limitet dhe kufizimet e duhura”.
Mbi ndryshimin e pronësisë qytetari i parë pret komunikime zyrtare nga Mbikëqyrja: “Rëndësia strategjike nga pikëpamja turistike e ishullit Gallinara për Albenga dhe bashkitë bregdetare të zonës është aq e rëndësishme sa unë e konsideroj të saktë të ekzaminohen të gjitha aspektet procedurale të shitjes”. (ANSA)