Policia e Fierit ka konfiskuar katër apartamente dhe 1 automjet me vlerë tregu 200 mijë euro. Sipas hetimeve, tre pronarët akuzohen se e kanë vënë kete pasuri nga veprimtaria kriminale, pasi kanë rrëmbyer një biznesmen grek dhe e kanë kanosur për dhënie të pasurisë. Personat janë: Çerciz Agallija, Klodjan Lamaj, Mariglen Hamataj.
NJOFTIMI
Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve që janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.
Konfiskohen katër apartamente dhe 1 automjet me vlerë tregu 200 mijë euro, që janë përfituar nga veprimtaria kriminale e tre shtetasve, në fushën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vendosjen e konfiskimit të katër apartamenteve dhe 1 automjeti, konkretisht:
– një apartament në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të shtetasit Çerciz Agallija, 37 vjeç, banues në Kraps, Fier.
– dy apartamente në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të shtetasit Klodian Lamaj, 32 vjeç, banues në Banaj, Fier.
– një apartament në lagjen nr. 13, Durrës dhe automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të shtetasit Mariglen Hamataj, 29 vjeç, banues në Frakull, Fier.
Konfiskimi u krye për llogari të procedimit pasuror të filluar për këta shtetas, pasi janë subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Apartamentet e konfiskuara dyshohet se janë përftuar nga shtetasit e mësipërm nëpërmjet veprimtarisë kriminale në shtetin grek, ku këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në datën 02.05.2011, kanë rrëmbyer një shtetas grek, pronar i një shoqërie tregtare private, me qëllim përfitimi dhe u kanë marrë familjarëve të tij shumën 1 milion e 300 mijë euro.
Vijojnë hetimet intensive për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtyre shtetasve, familjarëve apo dhe të personave të tjerë të lidhur me ta.