Mijëra vullnetarë janë në garë me kohën për të përmbajtur dëmet e shkaktuara nga rrjedhja e naftës në plazhet përrallore të ishullit Mauritius të dielën.
1000 tonë naftë përfunduan në det pasi anija naftëmbajtëse japoneze “MV Wakashio” u ça pas përplasjes me një barrierë koralore, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë ekologjike në vendin e njohur jo vetëm për plazhet me ujë të kristaltë, por edhe pyjet dhe speciet në rrezik zhdukjeje që mban.
Përpjekjet për të stabilizuar anijen e përplasur që më 25 korrik janë ta vazhdueshme. Japonia do të dërgojë ekspertët e saj për të ndihmuar autoritetet vendase, ndërsa një anije ushtarake franceze është afruar në zonë për të dhënë kontributin e saj. Deri tani janë shpëtuar më shumë se 4000 tonë naftë, por fatkeqësisht 1000 tonë kanë përfunduar në det, duke ndotur ambientin përrallor.
Presidenti i kompanisë detare që ka në pronësi anijen, Akihiko Ono, u tha gazetarëve në Tokio se do të bëjë gjithçka për të riparuar dëmet, por ambientalistët thonë se është tepër vonë.
Të dielën, Policia tha se kishte marrë një mandat nga Gjykata për të kontrolluar anijen japoneze dhe për të sekuestruar çdo dokument apo material që do të konsiderohet si provë në hetimet për rastin.
Kryeministri i vendit, Jugnauth mblodhi qeverinë të dielën pasi grupet ambientaliste shprehën shqetësimin se dëmi mund të jetë fatal për bregdetin e ishullit.