Dy viktimat e para të radhës rraskapitëse në Kakavijë merren me ambulancë

0

Dy të moshuar në radhat e gjata kilometrike të Kakavijës, janë marrë me ambulancë dhe janë dërguar me shpejtësi drejt spitalit më të afërt për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të shkaktuar nga pritja e gjatë në makinë prej dy ditësh nën diellin e fortë.

Situate kaotike në Kakavijë vazhdon dhe asnjë zgjidhje shtetërore nuk duket deri tani në horizont, për qindra shqiptarë që presin të hyjnë në Greqi.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka deklaruar se radha është shkaktuar nga Inspektoriati Shëndetësor grek, me kontrollet për COVID-19.

Fluksi i madh dhe presioni në doganë është shtuar për faktin se gjatë natës nuk lejohet kalimi në Kakavijë për në Greqi dhe pas datës 16 gusht, Greqia do të fusë në karantinë për shtatë ditë cilindo që hyn nga vendi ynë dhe vende me rrezik të shtuar epidemie.

Njoftimi i djeshëm i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për hyrjet në Greqi:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se hyrjet në shtetin grek nëpërmjet pikave të kalimit në kufirin Kakavije dhe në kufirin Kapshticë do të jenë të mbyllura nga pala greke për udhëtarët dhe automjetet si në hyrje edhe në dalje të Greqisë gjatë fashës së orarit 22:00-06:00, deri në një njoftim të dytë.

Pikat e kalimit të lartpërmendura do të jenë të hapura për qytetarët dhe automjetet çdo ditë nga ora 06:00 deri në 22:00.

Sa më sipër, ftohen qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që të shmangin lëvizjet dhe udhëtimet gjatë orarit kur pikat e kalimit janë të mbyllura pasi mjetet dhe udhëtarët nuk do të lejohen nga Policia Kufitare që të parkojnë apo qëndrojnë në territorin doganor e kufitar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme sjell në vëmëndje që lejohet hyrja në Greqi vetëm për shtetasit grekë, shtetasit shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke dhe shtetasit shqiptarë të minoritetit grek me kartën përkatëse. Teksa shtetasit e BE-së apo shtetasit me leje qëndrimi në vendet e BE-së dhe vendet e treta nuk lejohen të hyjnë në Greqi nëpërmjet pikave të kalimit të kufirit Kakavije dhe të kufirit Kapshticë.

Gjithashtu, duke nisur nga data 16 gusht 2020, do të lejohet hyrja në Greqi nëpërmjet pikës së kalimit të kufirit Kakavije për vetem 750 shtetas në ditë të cilët duhet të jenë të pajisur me:
formularin PLF;
vërtetim në gjuhën angleze që vërteton se kanë kryer testimin për Covid-19 72 orë para udhëtimit dhe kanë rezultuar negativ;
formulari duhet të përmbajë rezultatin negativ, numër pasaporte dhe emër mbiemër.

Artikulli i mëparshëmShifrat/ Humbin betejën me Covid 19 gjashtë pacientë, 146 të infektuar në 24 orë
Artikulli i radhësVIDEO tronditëse: Shikoni se si është situata në Kakavijë