Foto Strakosha sot shijon performancat e të birit portier te Lacio dhe te Kombëtarja shqiptare. Mirëpo, ish-kapiteni kuqezi ka shkruar historinë në elitën e futbollit grek me një rekord që ende pas 15 vitesh është në fuqi.
Me 14 penallti të pritura, ish-kapiteni kuqezi është ende në krye të listës së portierëve për numrin më të madh të 11- metërshave të pritur në historinë e elitës së futbollit grek.
REKORDI – Kanë kaluar 15 vite që nga ndeshja e fundit në të cilën Foto Strakosha ka pritur një penallti, jo dosido, por të tillë që shënon të 14-tën në karrierën e tij në elitën e futbollit grek.
Më 3 prill 2005, Strakosha pret një penallti, e cila është shënuar në librin e artë të rekordeve të futbollit helen, pasi asnjë tjetër nuk ka pritur në Greqi më shumë sesa kaq. Ish-portieri kuqezi theu rekordin e Jorgo Davkos i cili kishte pritur 13 penallti dhe e mbante rekordin që nga viti 1995 me 13 të pritura./panoramasport