Ish-ministri serb nga Lista Srpska, Aleksandër Jabllanoviç ka zgjedhur bregdetin e Shqipërisë për të kaluar disa ditë pushimi. Siç shihet edhe në foto ish-ministri serb është relaksuar në jug. Ai shfaqet me rroba banjo, duke marrë rreze dielli.
Disa vite më parë Jabllanovic u vu në qendër të një skandali në Kosovë në lidhje me disa deklarata të tij pas një vizite rikthimi të të zhvendosurve serbë në Gjakovë.
Nënat e shqiptarëve të zhdukur gjatë genocidit serb dolën në protesta, ndërsa disa protestues qëlluan me akull autobuzët e serbëve të rikthyer. Asokohe Jabllanoviç i quajti “egërsira” protestuesit, por pas reagimeve të forta, kërkoi falje.
“Unë që në fillim dua të them që më vjen shumë keq që një deklaratë e imja nga 6 janari, e dhënë me qëllim që të dënoj sulmet ndaj njerëzve të zhvendosur dhe që kanë dashur të futen në kishën e tyre, ka shkaktuar gjithë këto reagime. Unë kam dashur që të denoj sulmet ndaj të zhvendosurve. Mirëpo disa media e kanë interpretuar gabimisht deklaratën time dhe i kanë dhënë një konotacion politik, me shpjegimin se unë kam ofenduar gjoja të gjithë qytetarët e Gjakovës, si dhe familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Si ministër dhe politikan unë nuk mund të lejoj që deklaratat e mija të përdoren si shkas për demonstrata. Për këtë shkak, para disa ditësh, unë i kam kërkuar falje të gjitha nënave që kanë humbur më të dashurit. Deklarata ime nuk ka të bëj fare me këto nëna” u shpreh asokohe Jabllanovic, që duket se nuk e ka pasur problem kalimin e pushimeve mes shqiptarëve.