Në këtë plazh, jo më shumë se një kilometër në veri të qytetit të Sarandës, një turist çek ka zbuluar dhjetra predha mortajash vetëm 20 metra larg bregut. David ishte në kërkim të një plazhi të qetë me pak njerëz dhe u zhyt nën ujë duke filmuar dhe aty gjeti municionet e rrezikshme
“Po kërkonim plazhe pa njerëz (duke treguar me gisht nga sipër)””
“Kur i gjetëm për herë të parë ishim duke notuar 20 metra larg bregut. në 4 metra thellësi janë rreth 30-40 predha. U trondita. Mu duken si shishe, bëra video dhe kur i pashë në breg u binda që janë bomba. Janë mjaft afër bregut. Duhet bërë diçka”
David dha menjëherë sinjalin për turistët e tjerë çekë dhe polakë që janë në Shqipëri. Ata kanë krijuar një grup në facebook dhe ndajnë eksperiencat e tyre kur udhëtojnë apo vizitojnë vendet më të pazakonta për turistët e tjerë. David lajmëroi edhe policinë që ditën e diel, por në zonën ku ndodhen predhat e rrezikshme nuk ka asnjë sinjalizim. Për më tepër aty vijojnë të bëjnë plazh turistë të tjerë. Ne gjetëm Danielën e cila ka ardhur nga Serbia, edhe ajo i zbuloi predhat.
“I pashë këtu dhe ishte cekët. Disa fëmijë erdhën dhe kjo mund të jetë shumë e rrezikshme. Jemi të shokuar. Unë jam për herë të parë në Shqipëri. Por kjo është një gjë shumë e keqe për turizmin. Njerëzit u trembën. I bëj thirrje policisë dhe qeverisë të bëjnë diçka. T’i nxjerrin këto bomba nga deti ose të venë dhe tabela. Është e rrezikshme per turistet. Nuk është normale. Është për luftë jo për turizëm. Kam 10 dite këtu, dua të vi prape por kam frikë. Nëse është çdo plazh si ky nuk ka siguri”
Ushtarakë që kanë parë videot e filmuara nën ujë nga turisti cek thonë se municionet janë të reja dhe jo të luftës së dytë botërore. Ajo mund të jenë marrë nga ndonjë nga reparet ushtarake në zonë gjatë vitit 1997 dhe janë hedhur më pas në det. Fare pranë vendit në fakt ka qenë një repart ushtarak i marinës.